Lidhje

Ish-punëtorët e Gërdecit hyjnë në grevë urie

  • Armand Mero
  • Tiranë

Një grup ish punëtorësh në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec, nga shpërthimi i së cilës më 15 mars humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën, hynë sot në grevë urie.

Shkak i këtij vendimi, sipas tyre, është mosplotësimi i shumë kërkesave që ata kanë paraqitur dhe pakënaqësia për dëmshpërblimet e ofruara deri tani nga qeveria, të cilat siç deklarojne, nuk kanë qenë më shumë se 100 mijë lekë.

Grevistët thanë se në muajin maj i kanë dërguar një letër edhe kryeministrit Sali Berisha. Ish punonjësit e Gërdecit këmbëngulin në disa kërkesa të karakterit ekonomik, si lidhja e një pensioni prej 40 mijë lekësh për familjet e viktimave, dëmshpërblim për të gjithë punëtorët e dëmtuar, një pagesë mujore prej 50 mijë lekësh për një vit rresht për të gjithë punonjësit e fabrikës si dhe njohja e sigurimeve shoqërore që duhet të ishin paguar nga kompania shqiptare e cila i kishte punësuar.

Nga ana e tyre autoritetet kanë deklaruar se një pjesë e mirë e familjeve janë kompensuar tashmë për dëmet, ndërkohë që shteti ka premtuar të marrë përsipër pagesën e qerasë për familjet, të cilat duhet të lënë shtëpitë e pushimit në Durrës, ku janë strehuar deri më tani.//lk

XS
SM
MD
LG