Lidhje

Hillari Klinton, një kandidate e palodhur dhe plot energji

  • Deborah Tejt

Senatorja Hillari Klinton e filloi garën për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate si një kandidate me pozita të forta, por shpresat e saj për t’u bërë gruaja e parë presidente nuk mundën të realizohen, pasi ajo nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të delegatëve të partisë. Pas një fushate të ashpër dhe shpesh të vështirë, përballë rivalit të saj Barak Obama, zonja Klinton po zotohet tani se do të përpiqet për vendosjen e unitetit brenda partisë. Në vazhdim, një portret të zonjës Klinton: :

Hillari Klinton provoi gjatë garës presidenciale se ishte një kandidate e palodhur dhe plot energji. Edhe pasi u bë e qartë se nuk do të fitonte ndaj senatorit Obama përsa i përket numri të delegatëve, ajo nuk pranoi t’i jepte fund fushatës.

“Cilido që është luhatur, por që e ka marrë përsëri veten dhe cilido që punon shumë dhe nuk dorëzohet kurrë, e kupton fare mirë situatën”.

Zonja Klinton, senatorja e Nju Jorkut për dy mandate rresht, dhe ish-zonja e parë me emrin më të fuqishëm në Partinë Demokrate, e filloi fushatën, duke theksuar eksperiencën e saj. Mesazhi i saj: ajo do të ishte presidentja më e kualifikuar.

“Amerika ka nevojë për një president, që është gati ta udhëheqë, dhe të mbrojë çështje të drejta, edhe kur është është e vështirë. Pas 7 vjetësh me presidentin Bush, sigurisht që jemi gati për të patur një president, që të jetë luftarak, për t’i realizuar objektivat dhe për të patur përsëri një kampion në sytë e popullit amerikan”.

Por analistët thonë se zonja Klinton nuk i kuptoi siç duhet votuesit demokratë, të cilët duan ndryshimin, më tepër se eksperiencën dhe për këtë arsye, votuan për Obamën. Ron Uolters, profesor i shkencave politike në Universitetin e Merilendit, thotë se mesazhi i saj nuk tingëllonte po aq mirë sa ai i Obamës.

“Kjo lidhet me mua, këtë do të bëj unë për ju. Kjo ka të bëjë me ekperiencën time, e të tjera. Kjo ishte një mënyrë e ndryshme e të treguarit dhe populli amerikan nuk donte të dëgjonte këtë tregim”, - thotë analisti.

Vota e Hillari Klintonit për autorizimin e luftës në Irak, po ashtu e kishte zemëruar bazën liberale të partisë dmeokrate.

"Unë i kam dalë zot votës sime për luftën dhe në jetë nuk ka mundësi për t’i ribërë gjërat, edhe pse unë do të doja që të kishte patur."- tha ajo.

Pas një fushate të gjatë dhe shpeshherë të ashpër për zgjedhjet paraprake, zonja Klinton u zotua se do të përpqiet për unitetin brenda Partisë.

"Unë jam e përkushtuar për të patur unitet brenda partisë, në mënyrë që të bëjmë përpara, më të fortë dhe më të gatshëm se kurrë, për ta fituar përsëri Shëpinë e Bardhë në nëntor."

Në se Barak Obama nuk e zgjedh si kandidate për nënpresidente, Hillari Klinton duket se do ta vazhdojë punën e saj në Senat, ku ajo është anëtare e Komisionit të rëndësishëm të Forcave të Armatosura.

Analisti Ron Walters thotë se zonja Klinton do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishsëm në politikë, kudo që ajo të ndodhet në të ardhmen.

"Hillari Klinton, duke patur parasysh se ka mundur të sigurojë 17 milionë vota, do të jetë gjithmonë një udhëheqëse në politikën amerikane, pavarësisht se në cilën fushë punon," - thotë analisti.

Dhe kështu, Hillari Klinton mbyll një tjetër kapitull në karrierën e fushatës presidenciale dhe fillon një kapitull tjetër, ndërsa vazhdon të mbetet një forcë e rëndësishme në politikat e Partisë Demokrate.//lk

XS
SM
MD
LG