Lidhje

Sulm ndaj shtëpisë së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi


Autoritetet në Kosovë njoftuan se mbrëmë është kryer një sulm ndaj shtëpisë së kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi. Policia tha se pjesëtarët e sigurimit të shtëpisë së kryeministrit Thaçi kanë shkëmbyer zjarr me të paktën një person, që kishte provuar të hyjë në shtëpi dhe me këtë rast besohet se një sulmues është plagosur. Kryeministri nuk ndodhej në shtëpi, ku ishin gruaja dhe djali i tij, të cilët nuk kanë pësuar gjë nga sulmi.

Zëvendës kryeministri, Hajredin Kuqi e dënoi ashpër sulmin që sipas tij ishte drejtuar kundër kryeministrit dhe familjes së tij.

"Fakti se dikush ka dashur të dëmtojë kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjeve, qoftë pa durimin apo urrejtjen politike", tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Ai tha se "si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar shtimin e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët qeveritarë dhe bartësit e institucioneve të lira dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka persona të atillë që nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të lirë moderne e demokratike në të cilën sundon rendi dhe ligji".

Por zoti Kuqi nuk deshi të komentojë për motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje, e cila është dënuar fuqishëm edhe nga Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu si dhe partitë politike. (ze)

XS
SM
MD
LG