Lidhje

Presidenti Bush para vizitës në Evropë


Më pak se një muaj pasi u kthye nga Lindja e Mesme, presidenti Bush po bën një tjetër turne jashtë vendit, këtë herë në Evropë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, presidenti do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e Bashkimit Evropian si dhe do të vizitojë kryeqytete të vendeve kryesore aleate, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Ky udhëtim mund të konsiderohet si turneu i lamtumirës së presidentit Bush. Ndërsa presidenca e tij i afrohet fundit, ai po bën një seri vizitash në kryeqytetet e vendeve evropiane për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndër-atlantike.

Këto marrëdhënie janë tendosur gjatë pjesës më të madhe të presidencës së tij, kryesisht për shkak të luftës në Irak. Tensionet u shtuan para fillimit të luftës dhe kanë filluar të qetësohen vetëm në 2-3 vjetët e fundit. Që prej fillimit të mandatit të dytë të presidentit Bush, Shtëpia e Bardhë ka bërë përpjekje të shumta për të përmirësuar marrëdhëniet me evropianët. Mesazhi i presidentit ka qënë ky: ka më shumë elementë që na bashkojnë se sa na ndajnë. “Aleanca e Evropës me Amerikën e Veriut është shtylla kryesore e sigurisë sonë. Tregëtia jonë e fuqishme është një prej motorëve të ekonomisë botërore. Shembulli ynë i lirisë ekonomike dhe politike u jep shpresë miliona njerzve të lodhur nga varfëria dhe shtypja”.

Presidenti Bush vizitoi Evropën 3 herë në vitin e parë të mandatit të tij të dytë. Dhe në shkurt të vitit 2005, ai u bë presidenti i parë amerikan që shkonte në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel. “Miqësia jonë e fortë është shumë e rëndësishme për paqen dhe begatinë në mbarë globin dhe asnjë debat i përkohshëm e asnjë mosmarrëveshje kalimtare mes qeverive, asnjë fuqi në botë nuk do të na ndajë neve”.

Objektivi ishte që të ndryshohej toni, të zbutej zemërimi rreth luftës, thotë Xhon Glen, shefi i programit të politikës së jashtme në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. “Gjatë 2-3 vjetëve të fundit kemi parë një lloj marrëveshje xhentëllmenësh për të mos diskutuar rreth Irakut. Prandaj edhe marrëdhëniet ndër-Atlantike janë përmirësuar si rezultat i vizionit të përbashkët për sfidat globale me të cilat ndeshen të dy palët dhe lista e tyre nuk është e vogël.”

Kjo listë përfshin Iranin, fuqizimin ekonomik të Kinës e Rusisë si dhe çështjet ekonomike, veçanërisht tregëtinë. Lidhur me Iranin, presidenti Bush mbështeti nismën diplomatike evropiane, e kryesuar nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. “Shtetet e Bashkuara dhe Evropa rrallë herë kanë mosmarrëveshje të mëdha e të dukshme siç ndodhi në rastin e luftës në Irak. Ka patur pa dyshim, ankesa si ato rreth mungesës së këshillimeve dhe bashkërendimit, veçanërisht rreth Lindjes së Mesme. Por sot marrëdhëniet amerikano-evropiane duket se janë në një nivel funksional dhe mund të thuhet të suksesshëm.”

Gjatë viteve të fundit, presidenti Bush ka parë një grup të ri udhëheqësish evropianë, që kanë dhënë shenja të një gadishmërie më të madhe për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, kanë sjellë ndryshime të mëdha, thotë gazetari veteran, Rexhinald Dell. “Zoti Sarkozi gjatë fushatës njihej me nofkën ‘amerikani’ dhe nuk e mbajti sekret faktin se donte jo vetëm të riparonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por ai i admironte Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Dell thotë kjo mirënjohje për Shtetet e Bashkuara mund të jetë duke dhënë fryte. “E gjithë klima në Evropë në fakt është më e favorshme për presidentin Bush. Madje ne po shikojmë pak më pak ndjenja anti-amerikane mes popullatave të Evropës”. Përmirësimi i imazhit të Shteteve të Bashkuara, sipas anketave të opinionit në Evropë, është i vogël, por real. Dhe kjo, thonë ekspertët, mund të jetë pjesërisht për shkak të perspektivës për ndryshim në Shtëpinë e Bardhë me që 2008-ta është vit zgjedhjesh presidenciale.

Por zoti Dell, i cili tani është analist pranë Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare këtu në Uashington, thotë se përmirësimi i imazhit të Shteteve të Bashkuara mund të jetë rezultat i ndjenjës në rritje se të dyja palët kanë nevojë për njera tjetrën. “Marrëdhëniet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara do të jenë shumë të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve të shekullit të 21-të. Ku mund të gjejë Amerikë aleatë veçse në Evropë”. Zoti Dell thotë se, megjithë problemet e tyre të mëdha, amerikanët dhe evropianët kanë vlera të përbashkëta bazë, si shteti juridik, demokracia dhe liria. Analisti thotë se lidhjet mes tyre janë unike dhe ndryshe nga çdo lloj lidhjeje tjetër në botë. //rd//

XS
SM
MD
LG