Lidhje

Kryeministri irakian al Maliki viziton Iranin


Kryeministri irakian Nuri al-Maliki mbërriti sot në Iran për bisedime që synojnë të përmirësojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Njoftimet e medias bëjnë të ditur se bisedimet do të përqëndrohen mbi akuzat e Shteteve të Bashkuara se ushtria iraniane mbështet milicitë shiite në Irak, gjë që Irani e ka hedhur poshtë, si dhe negociatat mes Irakut dhe Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e pranisë amerikane në vend.

Zyrtarët amerikanë dhe irakianë kanë diskutuar lidhur me një marrëdhënie sigurie, që do t’u jepte mundësi forcave amerikane të qëndrojnë në Irak pas datës 31 dhjetor, kur të mbarojë mandati që këto forca kanë nga OKB-ja. Ambasadori amerikan në Irak, Rajen Kroker tha këtë javë se marrëveshja nuk është strategji që mundëspn një prani ushtarake afat-gjatë për amerikanët në Irak. Irani e kundërshton një marrëveshje të tillë.

Ndërkophë policia irakiane thotë se dy shpërthime me makina-bombë sot në Bagdat shkaktuan vdekjen e të paktën 4 vetëve dhe plagosën 20 të tjerë. Zyrtarët e rendit thanë se një nga makinat-bombë goditi një patrullë policore në pjesën perëndimore të kryeqytetit, duke shkaktuar vdekjen e një civili.

Zyrtarët thonë se makina tjetër vrau 3 civilë. Në veri, autoritetet lokalë thonë se guvernatori i Mosulit shpëtoi pa pësuar dëme, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj autokolonës së tij në një përpjekje për atentat. Ndërkaq, ushtria amerikane thotë se forcat e koalicionit kanë vrarë katër persona të dyshuar si terroristë dhe ndali 5 të tjerë në operacione në veri të Irakut.

Një deklaratë thekson se trupat kishin në shenjestër baza të terroristëve të huaj, kur ata u bënë objekt sulmi në një qytet në jugperëndim të Mosulit. Deklarata njofton se forcat e koalicionit u përgjigjën me zjarr, duke vrarë katër të dyshuar.//IB

XS
SM
MD
LG