Lidhje

Kosova dhe integrimi në strukturat Euroatlantike


Në Kosovë, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të ketë vonesa në transferimin e kompetencave nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) tek misioni i BE-së EULEX, ende nuk është e qartë se si do të ndahet pushteti mes dy misioneve ndërkombëtare në periudhën e tranzicionit dhe pas saj. Për Bashkimin Evropian ky është misioni i parë i këtij lloji. Prandaj, ndarja e qartë detyrave dhe përgjegjësive si dhe mirëkuptimi me autoritetet vendore do të jenë qenësore për mbarëvajtjen e misionit të ri të bllokut 27-anëtarësh. Bardha Shpuza Azari përgatiti materialin në vazhdim.

Megjithëse fillimisht pritej që misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX të merrte përsipër misionin e OKB-së pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës me 15 qershor, debatet për ndarjen e pushtetit mes dy organizatave ndërkombëtare kanë sjellë shtyerjen e transferimit të kompetencave.

Arben Hajrullahu, studiues pranë Qendrës Ndërkombëtare Udrou Uilson në Uashington thotë se pavarësisht se kur do të ndodhë kalimi i pushtetit tek EULEX-i, detyrat dhe përgjegjësitë duhet të jenë të qarta për të gjitha palët. HAJRULLAHU “Unë mendoj se edhe pala kosovare edhe bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë duhet të mësojë nga e kaluara dhe përvoja e marrë gjatë viteve të fundit. Do të jetë shumë me rëndësi për fazën e re në të cilën po hyn tani Kosova që të ketë një ndarje të qartë të përgjegjësive dhe të dihet se kush për çka është përgjegjës.”

Zoti Hajrullahu thotë se është e rëndësishme që të mos përsëriten gabimet e bëra pas 1999-ës. Meqenëse UNMIKU dhe EULEX-i ende nuk kanë rënë dakort për kompetencat që duhet t’i përkasin secilit mision.

Vilma Shabani, nga Universiteti i Kolumbias në Nju Jork thotë se udhëheqja e Kosovës është ajo që duhet të ngulë këmbë për të qartësuar përgjegjësitë e palëve. “Udhëheqja kosovare duhet të ngulë këmbë t’i qartësojë përgjegjësitë e të dyja grupeve dhe gjithashtu të ndërmarrë përgjegjësi për udhëheqjen kosovare. Dikush duhet të japë llogari nëse një qëllim apo veprim nuk është realizuar nga cilado palë.”

Ndërlikimet për kalimin e kompetencave nga OKB-ja tek misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili është i pari i këtij lloji për bllokun, shtohen edhe nga fakti se brenda BE-së nuk ka ende një gjuhë të përbashkët për hapat që duhen ndërmarrë.

Megjithatë, vetë prania e këtij misioni, thotë Arben Harullahu, i bën kosovarët optimistë për integrimin në Bashkimin Evropian. “Shpresoj që strukturat e Kosovës do t’ia bëjnë të qartë edhe misionit të ri që ideja dhe qëllimi i përbashkët është që Kosova të hyjë në Evropë dhe jo vetëm Bashkimi Evropian në Kosovë. Duhet të kuptohet se BE-ja është në Kosovë vetëm për ta ndihmuar Kosovën të arrijë në Evropë.”

Vilma Shabani pajtohet me zotin Hajrullahu, madje thekson se prania e Bashkimit Evropian është e domosdoshme në Kosovë për integrimin e kësaj të fundit në Evropë. “Për momentin, udhëheqja kosovare nuk e ka mundësinë, apo ka mundësi të kufizuara diplomatike që të bëjë lobizëm për ardhmërinë e zhvillimit ekonomik, shoqëror apo diplomatik të Kosovës. Kështu që Bashkësia Evropiane është më se e nevojshme.”

Cilido qoftë roli që do të ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, dhe pavarësisht nga lloji i misonit mbikqyrës atje, udhëheqja kosovare duhet të marrë rolin kryesor në përmbushjen e detyrave të saj, duke filluar që nga zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve të huaja e deri tek integrimi i pakicave dhe standartet e arsimit dhe shëndetësisë.//IB

XS
SM
MD
LG