Lidhje

Në Uashington policia vendos disa pika kontrolli për të luftuar krimin


Policia në kryeqytetin amerikan, Uashington, ka ngritur pika kontrolli në një lagje, të përfshirë kohët e fundit nga dhuna me armë. Policia filloi sot të ndalte makinat në lagjen Trinidad. Ngritja e pikave të kontrollit u njoftua pasi 7 veta humbën jetën gjatë natës para rreth një jave, 3 prej tyre në lagjen Trinidad. Deri tani këtë vit, 72 veta janë vranë në Uashington, përfshirë edhe 22 veta në distriktin policor, që përfshin edhe Trinidadin. Policia në këto pika kontrolli u kërkon shoferëve të makinave letrën e identifikimit dhe nuk lejon hyrjen e atyre, që nuk kanë atë që autoritetet e konsiderojnë si arsye legjitime për të qënë në këtë zonë, si për shembull shkurja në kishë apo vizita tek mjeku. Disa grupe të të drejtave civile kritikojnë këtë veprim të policisë. Ndërkohë, banorët e Uashingtonit me popullsi prej mbi gjysëm milioni, janë të zemëruar nga numri i madh dhe në rritje i krimeve.

Çdo natë, në shumë pjesë të Uashingtonit, mbrëmja e qetë ndërpritet nga krismat e armëve. Gjatë muajve të fundit, numri i krismave që dëgjohen në qytet është rritur shumë. Lajmet në televizionet lokale njoftojnë thuajse çdo ditë për sulme me armë. Hetuesit e rajonit të gjashtë të policisë së Uashingtonit po hetojnë tre sulme me armë që kanë ndodhur sot. Personi që është qëlluar vdiq në mbrëmje.

Pavarësisht se Uashingtoni ka disa nga ligjet më të rrepta për armët në të gjithë vendin, në këtë qytet ka pasur 338 krime me armë zjarri nga marsi deri në prill. Ronald Moten është i zemëruar për atë që ai e quan cikël pa fund dhune në Uashington.

Zoti Moten dhe grupi i tij i quajtur “Peaceoholics” e organizuan këtë marshim për të dënuar krimin e rrugëve dhe për t’i inkurajuar të rinjtë të mos hyjnë në ngatërresa. “Ata mësojnë si të mbijetojnë në rrugë. Nëse nuk ke aftësi apo nuk je i informuar apo motivuar për të bërë atë që është e drejtë atëherë është shumë e lehtë të rrëshqasësh.”

Shumë prej sulmeve me armë përfshijnë adoleshentë afrikano-amerikanë dhe 20-30-vjeçarë, çka pasqyrohet edhe në statistikat kombëtare të krimit. Sulmet me armë shpesh kanë lidhje me drogë apo me banda.

“Nganjëherë thirrjet e publikut në shenjë proteste janë të nevojshme. Duhet të tregohet mbështetja e publikut për një Uashington pa krime.” 38-vjeçari Dejvid Bauers po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit për atë që disa e shohin si valë krimesh. Në vitin 2000 ai themeloi një grup të quajtur “Një Uashington pa vrasje.”

Zoti Bauers thotë se ai dëshiron që të rinjtë të angazhohen në lëvizjet kundër dhunës. “Një nga problemet është si t’i angazhojmë të rinjtë, që janë autorët e krimeve dhe viktima, të kontribuojnë. Shpesh ne i shohim ata si vetë problemi në vend që t’i konsiderojmë si pjesë e zgjidhjes.”

Pёrgjigja e policisë është dislokimi i 1,200 policëve për të patrulluar lagjet për disa periudha tre-ditëshe. Departamenti Metropolitan i Policisë ka vënë disa mijëra kamera survejimi nëpër lagje. Policët shpresojnë të regjistrojnë fytyrat e kriminelëve.

Zoti Bauers thotë se ai dhe anëtarët e grupit të tij kundër krimit duan të bëjnë më shumë për këtë çështje. “Ky raport do të trajtojë çështje që nga shëndeti mendor, strehimi, trainimi për punë e deri tek zbatimi i ligjit.” Ndërkohë, aktivistët e komunitetit thonë se vala e krimit në qytet do të vazhdojë gjatë muajve të nxehtë të verës në qershor, korrik dhe gusht, kur zakonisht ka më shumë sulme me armë dhe vrasje.//IB

XS
SM
MD
LG