Lidhje

Pentagoni: Spastrimi i armëve të vjetëruara duhet të jetë përparësi për Shqipërinë


Një zyrtar i lartë i Pentagonit thotë se qeveria shqiptare duhet të spastrojë municionet e tepërta, në mënyrë që ato të mos u shiten palëve të treta ose në treg të zi. Daniel Fejta, zëvendës ndihmës sekretar i Mbrojtjes për Evropën dhe politikat e NATO-s, tha gjithashtu se pas marrjes së ftesës për anëtarësim në aleancë, Shqipëria duhet të ketë kujdes të mos bëjë hapa prapa. Zoti Fejta bëri të ditur se në takimin e kësaj jave të aleancës, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të ketë diskutime veçanërisht për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti Fejta, cilat janë marrëdhëniet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe çfarë ndihme po jep Amerika në këtë drejtim?

Daniel Fejta: Mendoj se bashkëpunimi mes ushtrive amerikane dhe shqiptare ka qenë shumë i fortë gjatë dekadës së fundit. Nga të dyja anët e Atlantikut, ka pasur një vullnet shumë të mirë nga udhëheqësit që këto marrëdhënie të ecin përpara. Para së gjithash Shqipëria ka dashur të ketë marrëdhënie të ngushta me ne dhe ka ndërmarrë shumë reforma në fushën e mbrojtjes. Mendoj se kjo e bëri Shqipërinë në një kandidate të fortë për anëtarësimin në NATO dhe ne jemi të kënaqur që Shqipëria mori ftesën në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht. Shqipëria është një vend që jep kontribut për sigurinë e NATO-s. Po merr pjesë në shumë operacione të aleancës dhe po bën një punë të shkëlqyer. Unë kam pasur rastin që të shoh trupat shqiptare kur kam qenë në Afganistan dhe prania e trupave atje ka marrë vlerësimet më të larta nga të gjithë oficerët e lartë të NATO-s, jo vetëm amerikanë por edhe nga vendet e tjera. Dhe kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin ndërmarrë përpjekjet e duhura për reforma. Mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara mund të krenohen që ndihmuan ushtrinë shqiptare të forcohej.

Zëri i Amerikës: A është angazhuar Pentagoni në asgjësimin e municioneve të tepërta, një problem që siç doli në pah nga shpërthimi i marsit në Gërdec, mbetet shumë i mprehtë?

Daniel Fejta: Mesa di unë, ushtria amerikane nuk ka asnjë rol të drejtpërdrejtë në spastrimin e depove të municioneve që janë në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihmë financiare për të ndihmuar Shqipërinë në spastrimin e tyre. Asgjësimi i këtyre municioneve në gjithë botën është një përparësi e qeverisë amerikane, pas ato rrezikojnë fëmijët, popullsinë. Por nuk ka pasur rol të drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane në ndihmë të pastrimit të këtyre depove.

Zëri i Amerikës: Po ndihmë me ekspertë?

Daniel Fejta: Mesa di unë ka pasur kontraktorë vitet e fundit që kanë ndihmuar për të siguruar ekspertizë për të shpjeguar sesi duhen asgjësuar. Por mesa di unë të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë për të shkatërruar këto depo, për çmontim janë bërë vetëm nga shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Keni ndonjë shifër për ndihmën amerikane në këtë drejtim?

Daniel Fejta: Mendoj se bëhet fjalë për disa milionë dollarë, jo ndonjë shifër e lartë, por gjatë gjithë kohës ne na ishte bërë e qartë se autoritetet shqiptare e kishin prioritet një gjë të tillë dhe se qeveria shqiptare kishte vënë në dispozicion burimet për të pastruar depot.

Është shumë e rëndësishme që këto depo të pastrohen, në mënyrë që të mos ketë vjedhje, ose shitje të këtyre armëve ndaj palëve të treta, ose në tregun e zi. Janë armë shumë të rrezikshme që kanë mbetur, siç e pamë në incidentin e para disa muajve. Kështu, që duhet të vazhdojë të jetë një përparësi për qeverinë shqiptare shkatërrimi i tyre.

Zëri i Amerikës: A do të diskutohet për Kosovën në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që mbahet pas disa ditësh?

Daniel Fejta: Po. Si edhe në të kalurën do të mbahet një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut që do të përqendrohet vetëm tek Kosova. Kështuqë do të mblidhen 26 aleatët si edhe vendet kontribuese që janë në terren në Kosovë. Ata do të diskutojnë për gjendjen aktuale në Kosovë. Takimi mbahet dy ditë para 15 qershorit kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, kështuqë do të diskutohet për gjendjen në Kosovë, për tranzicionin nga UNMIK-u tek EULEX-i dhe për rolin që KFOR-i do të luajë në të ardhmen e afërt.

Zëri i Amerikës: A pritet ndonjë ndryshim me hyrjen në fuqi të Kushtetutës dhe si do të vazhdojë të jetë prania e forcave amerikane?

Daniel Fejta: Nuk besoj se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës roli i KFOR-it do të ndryshojë, pasi misioni i tij është i përcaktuar nga rezoluta 1244 e OKB-së, kështuqë misioni do të vazhdojë të jetë i njëjti: garantimi i një mjedisi të sigurt për të gjitha palët dhe të gjitha komunitetet në Kosovë. Përsa i takon pranisë amerikane, ajo nuk ndryshon si pjesë e KFOR-it. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e misionit. Presidenti (Bush) është shprehur ne do qëndrojmë atje deri në fund.

Zëri i Amerikës: Cili është statusi i protokollit të përbashkët NATO-Shqipëri dhe cili është ritmi i ratifikimit nga vendet e NATO-s pas ftesës për anëtarësim?

Daniel Fejta: Më 9 korrik, Shqipëria dhe Kroacia do të shkojnë në Bruksel dhe do të nënshruajnë të ashtuquajturin Protokollin e Anëtarësimit, që shënon fillimin e procesit kur 26 aleatët shkojnë tek qeveritë e tyre dhe e hedhin për miratim ose në parlament ose marrin një vendim kombëtar për të amenduar Traktatin e Uashingtonit të vitit 1949 që lejon anëtarësimin e vendeve të reja. Ky proces fillon pas 9 korrikut. Historia ka treguar se duhen rreth 18 muaj që të gjithë aleatët ta realizojnë ratifikimin. E di që disa mendojnë se mund të bëhet deri në takimin e nivelit të lartë të 60 vjetorit në prill të vitit 2009. Një gjë e tillë mund të jetë e vështirë të realizohet sepse bëhet fjalë për një numër të madh qeverish, megjithatë nuk duhet ta përjashtojmë që ky të jetë një objektiv që duhet të përpiqemi ta arrijmë.

Zëri i Amerikës: Gjatë kësaj kohe, cilat janë reformat që mbeten për t’u realizuar nga Shipëria?

Daniel Fejta: Shqipëria ka bërë shumë përparim, përndryshe nuk do ta kishte marrë ftesën. Përparimi është ushtarak, në drejtim të shtetit ligjor, ekonomik dhe politik. Tani është e rëndësishme për Shqipërinë që të mos bëjë hapa prapa. Duhet të vazhdojë reformat, të forcojë ushtrinë dhe shtetin ligjor, të vazhdojë luftën ndaj korrupsionit, të mos ketë dyshime për angazhimin e Shqipërisë ndaj demokracisë, duhet të ketë një ekonomi të fortë. Çelsi për çdo vend që merr ftesë për anëtarësim është të ecë përpara, të mos ndalojë përparimin, pasi vendet aspiruese kuptojnë pasi bëhen anëtarë, se përgjegjësitë janë edhe më të shumta pas anëtarësimit, sesa procesi i vështirë i reformave për të marrë ftesën.

Zëri i Amerikës: Në përgjithësi për Ballkanin, me ftesat për anëtarësim në NATO ndaj vendeve të Evropës Juglindore, çfarë do të thotë kjo për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara përsa i takon bashkëpunimit me to?

Daniel Fejta: Ballkani ka mbetur një përparësi për qeveritë amerikane që nga mesi i viteve 1990. Ftesat për Shqipërinë dhe Kroacinë janë realizim i synimit të administratës së Presidentit Klinton dhe më pas të Presidentit Bush për të krijuar një Evropë të bashkuar dhe të lirë. Shpresojmë që në vitet që vijnë vende të tjera, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi dhe me shpresë edhe Serbia të duan të futen në aleancë dhe të tregojnë se kanë bërë reformat e nevojshme që të na lejojnë ta zgjerojmë aleancën në gjithë Evropën. Me ftesat për Shqipërinë dhe Kroacinë, vendoset siguria në rajon. Nuk mund të mohohet që kudo që NATO-ja është e pranishme, është vendosur siguria. Me KFOR-in në Kosovë dhe me Shqipërinë dhe Kroacinë, kjo zonë (sigurie) po zgjerohet dhe besoj se duhet mirëpritur nga të gjithë dhe nuk duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt.

XS
SM
MD
LG