Lidhje

Barak Obama në sulm ndaj politikave ekonomike të rivalit Mekein


Senatori Barak Obama filloi fushatën e tij për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit me një sulm të ashpër mbi politikat ekonomike të rivalit të tij republikan, senatorit Xhon Mekein. Senatori Obama filloi një turne dyjavor në shtetet republikane dhe të ashtuquajturat shtete të paparashikuara: shtete që ndonjëherë votojnë për demokratët dhe ndonjëherë për republikanët në zgjedhjet e përgjithshme. Zoti Mekein morri pjesë në aktivitete për grumbullim fondesh në Virginia dhe në kryeqytetin Uashington për të mbledhur fondet, që do t’i duhen për t’iu kundërvënë Obamës deri në nëntor.

Në aktivitetin e parë të fushatës së tij që kur senatorja Hillari Klinton shpalli të shtunën mbështetjen për të, demokrati Barak Obama filloi një turne dyjavor me moton “Ndryshimi që Funksionon për Ju”. Ai e filloi turneun e tij në shtetin jugor të Karolinës së Veriut, një shtet që nuk ka votuar për një kandidat presidencial demokrat në 30 vjet. Ai kërkoi të përshkruante ndryshimet e thella që e dallojnë atë nga zoti Mekein për ekonominë. "Kjo është zgjedhja me të cilën do të përballeni në nëntor. Mund të votoni për Xhon Mekein dhe të shikoni një vazhdimësi të politikave ekonomike të presidentit Bush, më shumë shkurtime taksash për të pasurit dhe korporatat, për kompanitë që i çojnë jashtë vendit vendet e punës, më shumë borxhe dhe asnjë mbështetje për familjet që po përballen me rritjen e kostove të çdogjëje që nga kujdesi shëndetësor tek karburanti e tek edukimi. Por nuk mendoj se kjo është e ardhmja që duam".

Mbrëmë senatori Obama u nis për në Mizuri. Fushata e tij thotë se ai do të shkojë gjithashtu në shtetet e paparashikuara si Ohio, Pennsylvania dhe Florida. Zoti Obama po përpiqet të tërheqë republikanët dhe të pavarurit, ashtu siç bëri në Karolinën e Veriut. "Ky nuk është argument mes të majtëve apo të djathtëve, liberalëve apo konservatorëve. Nuk do të thotë të jesh libaral apo konservator që të flasësh rreth rrugës së ndjekur për tetë vjet të gjatë dhe ajo është një rrugë e dështuar. Ka ardhur koha të provojmë diçka të re. Ka ardhur koha për ndryshim."

Zoti Obama tha se senatori Mekein do të vazhdojë politikat ekonomike të administratës Bush që ai i quajti si më të papërgjegjëshmet në histori e politikave fiskale. Zoti Obama tha se ai nga ana tjetër do të bëjë shkurtime taksash për familjet punëtore dhe do të rrisë taksat për amerikanët me të ardhura të larta.

Duke folur në një aktivitet për grumbullim fondesh në Virginia, zoti Mekein u kundërpërgjigj duke thënë se rritja e taksave tek cilido grup do të keqësonte ekonominë tashmë në vështirësi. Ai përsëriti ofertën e tij për zotin Obama të bashkohet me të në një seri takimesh me komunitetin. Zoti Mekein e bëri këtë thirrje edhe gjatë një fjalimi javën e kaluar. "Do të doja të bënim 10 takime komunitetesh në javë nga tani e deri në kuvendin e partisë demokrate, me ndoshta 200 deri në 400 vetë, të zgjedhur nga një organizatë objektive në mbarë Amerikën. Do të sugjeroja që takimi i parë të bëhej më 12 qershor në qytetin e Nju Jorkut". Qyteti i Nju Jorkut është vendi ku zoti Mekein do të organizojë sot aktivitete për grumbullim fondesh. Fushata e zotit Obama ka thënë se është dakort të planifikojë disa diskutime të përbashkëta me zotin Mekein, por nuk ka patur ende marrëveshje për temat e tyre.//rd//

XS
SM
MD
LG