Lidhje

Obama, MekKein këmbejnë replika për taksat


Kandidati republikan presidencial, Xhon Mekein, tha se rivali i tij demokrat, Barak Obama, do t’i rriste taksat, në se zgjidhej, një plan që zoti Mekein tha se do të dëmtonte bizneset amerikane.

Zoti Mekein tha sot në një takim të pronarëve të bizneseve të vogla, në Uashington, se plani i zotit Obama për anulimin e uljes së taksave, do të përfaqësonte rritjen më të madhe të taksave që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Obama e kritikoi mbështetjen e zotit Mekein për politikën e shkurtimit të taksave, duke e cilësuar administratën e Presidentit Bush “më të papërgjegjshme në histori përsa i takon financave”.

Në një ndalesë gjatë fushatës, sot në shtetin e Mizurit, zoti Obama tha se sipas politikës aktuale, nga shumica e shkurtimeve të taksave kanë përfituar të pasurit dhe jo shtresa e mesme.

Ai tha se disponimi i më tepër parave nga familjet e punëtorëve do të shtonte shpenzimet e konsumatorëve dhe do të nxiste rritjen ekonomike në vend. Zoti Obama tha gjithashtu se fushata e tij po shqyrton ofertën e zotit Mekein për të mbajtur disa takime të përbashkëta me popullin, gjatë të cilave të dy kandidatët t’u përgjigjen drejtpërsëdrejti pyetjeve të votuesve.//lk

XS
SM
MD
LG