Lidhje

Forcat amerikane në Irak nuk do të përdoren për të sulmuar vendet fqinje


Pentagoni thotë se forcat amerikane në Irak nuk do të përdoren për të sulmuar vendet fqinje të tij. Komenti bëhet ndërkohë që ndërmjetësit amerikanë dhe irakianë po punojnë për një marrëveshje mbi të ardhmen e forcave ushtarake amerikane në Irak, e ndërsa kryeministri i vendit po viziton Iranin. Al Pesini i Zërit të Amerikës njofton nga Pentagoni.

Zëdhënësi Bryan Whitman tha se Shtetet e Bashkuara duan të arrijnë një marrëveshje e cila mund të lejojë forcat e tij të qëndrojnë në Irak përkohësisht, si dhe të mbrojë trupat, sikurse marrëveshjet e bëra nga vendet e tjera. Dhe ai shkon më tej, duke u përpjekur të sigurojë Iranin dhe fqinjët e tjerë të Irakut.

“Forcat amerikane në Irak nuk do të përdoren për operacione sulmuese kundër fqinjëve të Irakut. Por për sa u përket cështjeve të tilla si imuniteti dhe juridiksioni, kudo qo gjenden forca amerikane nëpër botë, ne ndërmjetësojmë marrëveshje për mbrojtjen e tyre. Dhe do të bëjmë të njëjtën gjë dhe me qeverinë e Irakut.”

Deklarata e zotit Whitman erdhi mbasi zyrtarë iranianë po nxisin kryeministrin e Irakut që t’i japë fund pranisë së trupave amerikane në vendin e tij. Kryeministri i Irakut Nuri Al Maliki është për një vizitë në Teheran, ku udhëheqësi suprem, Ajatollah ali Khamenei, i deklaroi se problemi më i madh i Irakut është prania e trupave amerikane.

Irani mbështet milicinë shiite të quajtur forcat Mehdi, milicia më e madhe në Irak, e angazhuar kundër forcave amerikane. Tani është një periudhë armpushimi, por disa grupe Mehdi ende luftojnë. Shtetet e Bashkuara thonë se forcat elitë të Iranit, të quajtura Kuds, po furnizojnë me armë të teknologjisë së lartë milicinë shiite irakiane.

“Parimi i parë është respekti i plotë ndaj sovraniteti të Irakut. Nuk do të ketë asnjë lloj marrëveshje e cila shkel sovranitetin e Irakut. Parimi i dytë është që marrëveshja do të hartohet në transparencë të plotë. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje të fshehtë. Marrëveshjet që ne do të kemi me Irakun do të jenë marrëveshje publike”.

Whitman thotë se parimi i tretë është ai që marrëveshja e pritshme të kalojë për miratim në parlamentin e Irakut, sikurse e kërkon ligji irakian.

Marrëveshja është projektuar që të zëvendësojë mandatin e Kombeve të Bashkuara për trupat e huaja në Irak, i cili përfundon në fund të këtij viti. Ndërmjetësit kanë vendosur fundin e muajit korrik si piksynim të tyre për të përfunduar punën e nisur, kështu që ka ende kohë. Whitman thotë se njerëzit e përfshirë në këtë marrëveshje “janë optimistë” për arritjen e këtij objektivi.

SHBA kanë 150 mijë trupa në Irak, dhe pritet që të shkurtojnë 10 mijë trupa deri në fund të muajit të ardhshëm, sikurse priten dhe zvogëlime të tjera të mundshme gjatë këtij viti. (ze)

XS
SM
MD
LG