Lidhje

Presidenti Bush ndodhet në Gjermani për bisedime me kancelaren Anxhela Merkel


Pas takimit të nivelit të lartë SHBA-BE në Slloveni, ndalesa në Gjermani do të jetë e para e turneut të lamtumirës së presidentit Bush në Evropën Perëndimore.

Zyrtarët amerikanë thanë se vizita e shkurtër në Gjermani do të jetë një festim i lidhjeve të ngushta personale, që zoti Bush ka krijuar me kancelaren Merkel. Shtëpia e Bardhë thotë se kjo vizitë i jep gjithashtu presidentit mundësinë që të përkujtojë 60 vjetorin e zbatimit të Planit Marshall dhe fillimin e operacioneve ajrore për furnizmin e Berlinit, përpjekje ato të udhëhequra nga amerikanët për të ndihmuar popullin e Gjermanisë pas fitores së forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore.

Gjatë vizitës së presidentit Bush në Gjermani nuk do të ketë ndonjë njgarrje zyrtare përkujtimore, por zoti Bush dhe kancelarja Merkel pritet të komentojnë rreth rëndësisë së operacioneve kur të zhvillojnë një konferencë të përbashkët shtypi.

Konferenca e shtypit do të pasojë disa orë bisedime dy palëshe, të cilat ka të ngjarë të përqëndrohen në fusha të ndryshme, duke filluar nga e ardhmja e marrëdhënieve ndër-Atlantike, ndryshimet klimatike dhe përpjekjet diplomatike për t’iu kundërvënë ambicjeve bërthamore të Iranit.

Të hënën, Irani ishte një prej çështjeve në krye të rendit të ditës në takimin e fundit SHBA-BE të presidencës Bush.

Në një konferencë shtypi pas bisedimeve në Slloveni, presidenti Bush foli rreth rëndësisë së presionit të bashkuar ndaj Iranit për të pezulluar veprimtaritë e tij të pasurimit të uraniumit.

“Irani me një armë bërthamore do të jetë shumë i rrezikshëm për paqen në botë. Prandaj ne na duhet të punojmë së bashku për t’ua bërë më se të qartë iranianëve se ata duhet të zgjedhim mes izolimit ose marrëdhënieve më të mira me ne të gjithë nëse pezullojnë në mënyrë të ferifikueshme programin e pasurimit të uraniumit”.

Presidenti tha se Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, do të shkojë së shpejti në Teheran për t’u siguruar se ky mesazh u bëhet i qartë udhëheqësve iranianë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurimit kombëtar, Stivën Hadli, tha se zoti Solana do t’u transmetojë udhëheqësve iranianë një ofertë të re nga Gjermania, Franca, Britania, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Zoti Hadli nuk dha hollësi, por në deklartën e publikuar në përfundim të takimit të nivelit të lartë SHBA-BE përmendej mundësia e sanksioneve të mëtejshme përveç atyre të vendosura nga Kombet e Bashkuara.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka për qëllim vetëm të prodhojë energji bërthamore. Por presidenti Bush thotë se Iranit nuk mund t’i besohet dhe se e njëjta teknologji mund të përdoret për zhvillimin e armëve bërthamore.

“Dhe nëse iranianët zhvillojnë një armë bërthamore, bota e lirë do të thotë se pse nuk u morën masa parandaluese në kohën e duhur, para se ata ta zhvillonin këtë armë. Prandaj tani është koha për të vënë në veprim diplomacinë e fortë”.

Nga Gjermania, presidenti Bush do të shkojë në Itali, vend ky që ka shprehur gadishmërinë për t’u bashkuar në përpjekjet diplomatike lidhur me Iranin. Presidenti do të shkojë edhe në Francë e Britaninë e Badhe para se të kthehet në Uashington të hënën vonë. (ze)

XS
SM
MD
LG