Lidhje

Presidenti Bush arrin ne Itali pas bisedimeve ne Gjermani


Presidenti Bush ndodhet në Itali, ku pritet ta përsërisë thirrjen për t’i dhënë një zgjidhje diplomatike çështjes së programit bërthamor të Iranit, duke paralajmëruar se duhen marrë masa më të forta.

Zoti Bush e deklaroi këtë qëndrim të tij më parë në Gjermani, gjatë bisedimeve me kancelaren Angela Merkel.

Nesër Presidenti do të takohet me homologun e tij Xhorxhio Napolitano dhe me kryeministrin Silvio Berluskoni. Në bisedime pritet të trajtohet edhe roli i Italisë në Afganistan.

Para nisjes nga Gjermania, Presidenti Bush tha se diplomacia do të jetë metoda parësore në çështjen bërthamore të Iranit, por shtoi se të gjitha mundësitë mbeten të hapura. Presidenti theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të bashkëpunojë për zgjidhjen e çështjes dhe paralajmëroi për marrjen e sanksioneve të reja.

Kancelarja Merkel tha se trysnia diplomatike ka sjellë rezultate, por theksoi se nevojiten sanksione të reja, në se Irani nuk e pezullon pasurimin e uraniumit.

Presidenti Bush tha se dëshiron që kriza rreth Iranit të zgjidhjet me mjete paqësore. Por ai tha se forca ushtarake mbetet një mundësi e fundit.

"Të gjitha alternativat janë të hapura. Dhe alternativa ime e parë është që kjo të zgjihet në mënyrë diplomatike. Mënyra më e mirë për ta zgjidhur me mjete diplomatike është të bashkëpunojmë me partnerët tanë."

Një ndër këta partnerë është Gjermania, e cila po luan rol parësor në përpjekjet e ndërmjetësimit me Iranin.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin Bush, pas bisedimeve pranë Berlinit, Kancelarja Angela Merkel e bëri të qartë se qeveria gjermane është e gatshme të shtojë presionin ndaj Teheranit nëse është e nevojshme.

"Nëse Irani nuk u përmbahet angazhimeve atëhere duhet të zbatohen sanksione të tjera."

Gjatë takimit me gazetarët, Presidenti Bush u pyet gjithashtu nëse ka ndonjë keqardhje rreth vendimit për të ndërhyrë në Irak. Jo, u përgjegj ai, por përsëriti komentet e bëra për një gazetë britanike se do të dëshironte t’i kishte zgjedhur fjalët më me kujdes në periudhën para ndërhyrjes.

"Mund të kisha përdorur një retorikë më të mirë për të treguar se së pari ne u përpoqëm, përdorëm çdo mjet diplomatik për Irakun dhe së dyti, unë nuk e dua luftën."

Bisedimet Bush-Merkel prekën gjithashtu edhe çështje tregtare, të klimës e të tjera. Megjithëse diskutimet u përqendruan në çështje me rëndësi, vizita ishte kryesisht një rast për Presidentin Bush që ai t’i jepte lamtumirën zyrtare udhëheqëses gjermane e cila ka qenë ndër aleatet më të ngushta të tij.

Popullariteti i tij në publikun gjerman mbetet megjithatë i ulët, sipas zotit John K. Glenn, shef i programit për politikën e jashtëme në Fondacionin gjerman Marshall në Shtetet e Bashkuara.

"Kjo duket kur shikon anketat mes europianëve lidhur me Presidentin Bush. Por mne po shikojmë edhe diçka tjetër shumë interesante. Kur europianët pyeten rreth Shteteve të Bashkuara, kohët e fundit vihet re një përmirësim sa i përket imazhit të Amerikës."

Disa ekspertë thoinë se ky përmirësim ndoshta ka lidhje kryesisht me joshjen e madhe që po ushtron tek europianët fushata e tanishme presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Rezultat i kësaj ka qenë edhe rënia e numrit të protestave që kanë shoqëruar vizitën e presidentitg Bush në Europë. Reginald Dale, eksert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se kjo nuk e habit.

"Ata janë shumë të joshur nga kjo aq sa në disa vende dëgjon njerëzit që thonë se ndoshta kjo është diçka prej së cilës ata mund të mësojnë nga Amerika."

Analisti parashikon se protestat e vetme të rëndësishme do të jenë ndoshta ato që mund të zhvillohen këto ditë në Romë. //ii

XS
SM
MD
LG