Lidhje

Kongresi amerikan diskuton projektligj për lirinë e internetit


Çështja e kufizimeve për përdorimin e internetit në vende si Kina po diskutohet sërish në Kongresin amerikan ndërkohë që ligjvënësit po u bëjnë presion kompanive amerikane që të frenojnë censurën ndaj përdoruesve të internetit. Një projekt-ligj që parasheh ndalimin e bashkëpunimit të kompanive të internetit me vende të cilat nuk lejojnë përmbajtje politike në faqet e internetit, është duke u diskutuar.

Grupe të të drejtave të njeriut thonë se shumë njerëz në botë janë burgosur sepse janë kyçur në faqe interneti me përmbajtje politike e cila nga vendet e tyre është konsideruar si e papërshtatshme politikisht. Kina për shembull u ndalon përdoruesve të internetit të hyjnë lirisht në faqe interneti përmes programeve të kërkimit si Google dhe Yahoo.

Google dhe Yahoo, të dyja kompani amerikane, janë pajtuar t’u vihen këto lloj kufizimesh nga ana e qeverisë kineze për të mundur të punojnë në këtë vend. Tani Kongresi amerikan po punon për një projekt-ligj i cili i kërkon qeverisë amerikane që të promovojë në mënyrë aktive qasjen e lirë në internet. Kjo masë do të shkurajonte gjithashtu kompanitë amerikane të bashkëpunojnë me vende që keqtrajtojnë të ashtuquajturit “disidentetët e internetit.”

Aktivisti i të drejtave të njeriut Shiu Zhou i tha një komisionit të senatit amerikan se organizata e tij e përkrah këtë projektligj. ”Vetëm atëherë kur Shtetet e Bashkuara tregohen më të vendosura për ta mbajtur internetin të hapur se sa shoqëritë të cilat dëshirojnë ta mbyllin atë do të ketë shpresë për liri të informacionit dhe demokraci për qytetarët në ato shoqëri të mbyllura."

Përveç Google dhe Yahoo edhe kompani të tjera kanë një aktivitet të gjerë në Kinë dhe vende të tjera që vënë kufizime ndaj internetit. Kompania gjigande e teknologjisë Cisco i ka shitur qeverisë kineze pajisje që kufizojnë qasjen në internet. Në disa vende edhe përdoruesit e e-mailit janë të rrezikuar.

Kompania Yahoo shpreh keqardhje se një përdorues i e-mailit të kësaj kompanie ishte burgosur në vitin 2005 sepse ai kishte mundur të identifikohej sepse kompania Yahoo kishte dhënë informata që qeveria kishte kërkuar nga ajo. Drejtuesit e kësaj kompanie thonë se nuk mund të garantojnë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sërish.

Këshilltari i lartë ligjor i kësaj kompanie Majkëll Semuei dëshmoi gjithashtu para komisionit të senatit. ”Është shumë shqetësuese se njerëzit janë burgosur si rezultat i njëfarë lidhjeje me kompaninë tonë." Senatori nga shteti Illinois Riçard Dërbin ishte këmbëngulës në këtë dëshmi. "Pra nëse qeveria kineze nesër i kërkon kompanisë tuaj që të zbulojë identitetin e një personi që ka përdorur shërbimin tuaj të e-mailit, çfarë do të bëni ju si kompani?"

"Ne kemi investuar në një kompani e cila udhëheq me punën e përditshme të Yahoo-s në Kinë. Ajo kompani si çdo kompani tjetër në Kinë respekton ligjin," tha zoti Semuei. Ligjvënës të tjerë mendojnë se vënia e kufizimeve ndaj qasjes në internet paraqet një rrezik shumë të madh. Senatori Tom Kobërn thotë se 1,5 miliardë njerëz tani shfrytëzojnë internetin dhe 220 milion nga ta jetojnë në Kinë. Informacioni thuhet se paraqet fuqi dhe ky informacion një ditë mund të bëhet liri u shpreh senatori Kobërn.

Ndërkohë që kongresi amerikan po diskuton projektligjin i cili quhet “Ligji për Liri Globale të Internetit”, kompanitë amerikane po punojnë në hartimin e një kodi për mbarë industrinë se si të veprohet në vendet që kufizojnë qasjen në internet. //bsa//

XS
SM
MD
LG