Lidhje

A do të sjellë qartësi në Kosovë 15 qershori?


15 qershori shënon ditën kur hyn në fuqi kushtetuta e cila rregullon bazën ligjore të shtetit të Kosovës. Nuk dihet ende se cili do të jetë roli i UNMIK-ut pas kësaj dite, gjë që e ka ndërlikuar situatën. Por çdo të ndodhë në Kosovë pas 15 qershorit? Cili do të jetë roli i komunitetit ndërkombëtar? Kush do të jetë zot i vërtetë i vendit në shtetin më të ri të botës?

Pavarësia përmbushi ëndërrat e shumë kosovarëve dhe së shpejti pritet të hyjë në fuqi edhe kushtetuta e re. Por paqartësia e misionit të ardhshëm të komunitetit ndërkombëtar, veriu i Kosovës i cili gjithmonë e më tepër po largohet nga qeverisja e Prishtinës dhe një farë ngecje në njohjen e pavarësisë së Kosovës kanë krijuar konfuzion tek shumë njerëz.

Analisti me përvojë Xhejms Huper, mendon se këto paqartësi e përbashkët në këtë situatë, por kjo u ofron atyre edhe një shans që t’i marrin gjërat në duart e veta. “Bashkësia ndërkombëtare është e ndarë dhe pa një vizion të qartë përsa i përket rolit të saj të ardhshëm në Kosovë dhe kjo do ta lërë Kosovën në një gjendje paqartësie të madhe. Prandaj mendoj se qeveria e Kosovës duhet ta shohë këtë si një rast për të marrë iniciativën dhe për t’i shtyrë gjërat përpara.”

Parlamenti i Kosovës miratoi kushtetutën e cila pritet të hyjë në fuqi më 15 qershor. Kushtetuta, e bazuar në planin e Ahtisarit dhe e përkrahur nga komuniteti ndërkombëtar, e përcakton Kosovën si shtet shumëetnik dhe me një sistem të përparuar demokratik. Por serbët e Kosovës refuzojnë ta pranojnë këtë shtet dhe këto të drejta që i ofron ai.

Në maj të këtij viti, megjithë kundërshtimin e UNMIK-ut dhe institucioneve kosovare, ata mbajtën zgjedhjet lokale në bazë të të cilave tani po themelojnë institucionet vendore. Kjo e çon Kosovën edhe më tej drejt një ndarjeje faktike.

Kosovarët thotë zoti Huper, bënë shumë lëshime në mënyrë që të fitojnë pavarësinë prandaj udhëheqësit e tyre duhet ta shtojnë presionin. "Udhëheqësit kosovarë duhet t’i bëjnë presion komunitetit ndërkombëtar që të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes.”

Por analisti Ras Xhonson në qendrën Udrou Uillson thotë se komuniteti ndërkombëtar e ka pranuar me kohë qeverisjen e Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. "Edhe pse do të jetë e vështirë të pranohen këto zgjedhje si të ligjshme nga komuniteti ndërkombëtar, do të jetë e vështirë që ato të anulohen prandaj ndoshta do të ishte më pragmatike që këto institucione të pranohen.”

Për sa i përket rolit të UNMIK-ut pas 15 qershorit, zoti Xhonson thotë se mandati i OKB-së do të vazhdojë të qëndrojë deri sa rezoluta 1244 të jetë në fuqi. Por do të varet nga udhëheqësit e Kosovës për ta bërë ekzistencën e UNMIK-ut të panevojshëm. Paqartësitë vazhdojnë të shqetësojnë shumë kosovarë dhe gëzimi që solli pavarësia tanimë ka filluar të venitet edhe sepse numri i shteteve që po e njohin Kosovën nuk po rritet.

Zoti Huper thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës duhet të jetë një mision i kryeministrit dhe presidentit dhe mos t’i lihet vetëm ministrit të jashtëm. "Mendoj se kyeministri dhe presidenti duhet të krijojnë një ekip kombëtar me kosovarë pa dallim nga pikëpamjet politike dhe partiake, të cilët kanë kontakte dhe njohje dhe ti dërgojë ata në pjesë të ndryshme të botës.”

Kjo, thotë zoti Huper është ndër gjërat më të rëndësishme e cila duhet të bëhet menjëherë. Pritja ka qenë diçka që kosovarët e kanë bërë për një kohë të gjatë. Pritja e rradhës është të mësohet se çfarë do të ndodhë pas 15 qershorit kur Kosova do të ketë kushtetutën e saj dhe siç duket të paktën dy misione të ndryshme ndërkombëtare. //bsa//

XS
SM
MD
LG