Lidhje

OKB njofton Prishtinën dhe Beogradin për rikonfigurimin e UNMIK-ut


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, ka përcaktuar rrugën e rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Ky vendim është bërë i ditur nëpërmjet një letre që sekretari i përgjithshëm u ka dërguar sot presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe atij serb Boris Tadiç.

Në letër shprehet synimi i tij për të rikonfiguruar misionin e tij në Kosovë. Në këtë mënyrë ai synon t’i mundësojë Bashkimit Evropian të marrë dhe të forcojë rolin e tij në Kosovë në harmoni me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Hollësi nuk janë bërë të njohura zyrtarisht, por jozyrtarisht mësohet se letra udhëzon Misionin e Kombeve të Bashkuara që të përshtatet me rrethanat e reja të krijuara në Kosovë dhe paralajmërohet emërimi i shefit të ri të këtij Misioni që do të zëvendësoje shefin aktual Joakim Ryker.

Në letrën e zotit Ban Ki Moon thuhet se “në mungesë të udhëzimeve nga Këshilli i Sigurimit dhe pas këshillimeve të gjera, është synimi im që të rikonfiguroj strukturën dhe profilin e pranisë civile ndërkombëtarë në atë që është e përshtatshme me situatën e ndryshuar në Kosovë”.

Në letër shprehet synimi I tij që “t’i mundësojë Bashkimit Evropian që të marrë dhe forcojë rolin e tij në Kosovë në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm ka dhënë udhëzime edhe rreth fushave të policisë, gjykatave, doganave, transporteve dhe trashëgimisë kulturore serbe. Por, nuk është bërë e qartë nëse kjo është përgjigje në planin e qeverisë së Serbisë për të ashtuquajturën ndarje funksionale të shqiptarëve dhe serbëve që parasheh një formë të bashkëqeverisjes ndërmjet Beogradit dhe UNMIK-ut në këto fusha.

Në letër thuhet se pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës që veprojnë në zonat e banuara me serbë do t’u raportojnë policëve ndërkombëtarë nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara. Gjykata shtesë do të vendosen në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb e të cilat do të funksionojnë me ligjet e zbatueshme në Kosovë.

Zoti Ban Ki Moon udhëzon NATO-n që të kujdeset për sigurinë e kufijve në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë diskutimet me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Havier Solana për të përcaktuar rolin e qartë të Bashkimit Evropian në Kosovë.

As presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e as ai serb Boris Tadiç, ndonëse kanë konfirmuar marrjen e letrës, nuk kanë bërë komente rreth saj. Të dy kanë paralajmëruar se do të bëjnë një gjë të tillë pasi ta kenë studiuar letrën me kujdes.

Beogradi i mbështetur nga Moska zyrtare i kundërvihet çdo forme të ri konfigurimit të UNMIK-ut duke kundërshtuar ashpër vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian. Moska ka bërë thirrje sot edhe për shkarkimin e zotit Joakim Ryker nga posti i shefit të UNMIK-ut në shenjë pakënaqësie me ri konfigurimin e misionit. Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm të zyrtarëve të UNMIK-ut.

Beogradi kundërshton ashpër edhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 15 qershor. Autoritete vendase në Prishtinë thanë sot se pas 15 qershorit do të marrin të gjitha përgjegjësitë që u takojnë ndërsa prania civile ndërkombëtare do të jetë e rikonfiguruar në pajtim me funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur e sovran. //bsa//

XS
SM
MD
LG