Lidhje

Shkencëtarët në përpjekje për krijimin e varieteve të reja të orizit


Me rritjen e madhe të çmimit të orizit, shkencëtarët po përpiqen të krijojnë varietete të reja me prodhimtari më të lartë për të ushqyer më shumë njerëz, me sa më pak shpenzime. Studiuesit e Institutit Ndërkombëtar për Kërkimet mbi Orizin, me qendër në Filipine, thonë se bota duhet të investojë më shumë në krijimin e farërave të reja të kësaj kulture bujqësore, për t’i prerë rrugën urisë.

Një sallë, ku temperatura mbahet nën zero shërben për të ruajtur mijëra varietete orizi. Instituti Ndërkombëtar për Kërkime mbi Orizin thotë se synon të shtojë numrin e varieteteve, ndërkohë që çmimi i orizit vazhdon të rritet. Shkencëtarët po krijojnë varietete të reja që mund të ushqejnë një numër më të madh njerëzish, të cilat të kenë rezistencë si ndaj thatësirës, ashtu edhe ndaj përmbytjeve: "Rritja e kërkesës vazhdon prej 50 vjetësh pa ndërprerje, vazhdon edhe shtimi i popullsisë. Në botë kemi zhvillim ekonomik që rezulton në rritjen e kërkesës për konsum ushqimor. Por prodhimi nuk është rritur me të njëjtat ritme si kërkesa".

Robert Ziegler është kreu i institutit me qendër në Filipine. Nevoja për rritjen e prodhimtarisë nuk ndjehet kurrë më shumë se në këtë vend, i cili është importuesi më i madh i orizit në botë. Filipinas të varfër mbajnë radhën për orë të tëra për të blerë oriz me çmim të lirë falë subvencioneve qeveritare.

Gjatë Revolucionit të Gjelbër në vitet ’60 dhe ’70, Filipinet prodhonin sasi të mjaftueshme orizi për të ushqyer popullatën. Por me kalimin e viteve, rritja e kostos së krahut të punës, praktikat moderne të vaditjes dhe plehërimit dhe rënia e çmimeve për prodhimet bujqësore detyruan shumë bujq të braktisnin orizoret.

Ashtu si në pjesë të tjerë të Azisë, fabrika dhe banesa kanë mbuluar ultësira ku dikur shtriheshin orizoret. Zoti Ziegler thotë se mënyra më e mirë për ta zgjidhur problemin është të nxitet një revolucion i dytë i gjelbër në shkallë botërore. "Duhet të mundësojmë përsëri rritjen e prodhimtarisë që arritëm në vitet ’80". Por ai pohon se është një objektiv i vështirë. Rendimenti mesatar global i orizit duhet të rritet së paku 50 kilogram për hektar në vit gjatë 10 vjetëve të ardhshëm për të përballuar kërkesën. "Nuk mund t’i varim shpresat tek zgjerimi i tokës së punuar apo hapja e tokave të reja, prandaj duhet të mbështetemi tek rritja e rendimentit në tokën ekzistuese. Kjo kërkon praktika më të mira nga fermerët, në drejtim të shfrytëzimit të burimeve ujore, përdorimit të plehrave dhe angazhimit të krahut të punës. Kjo kërkon varietete orizi, gruri dhe misri që janë në gjendje të prodhojnë shumë më tepër pa rritur shumë investimet në bujqësi".

Zoti Ziegler thotë se investimet e sektorit shtetëror në bujqësi duhet të rriten dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë kërkimet në kultura bujqësore. "Duhet të shfrytëzojmë më me efektivitet potencialin gjenetik të orizit. Duhet të kuptojmë më mirë ekologjinë e orizoreve dhe mënyrat për t’i menaxhuar ato në një mënyrë që nuk pësojnë humbje nga faktorë si insektet apo sëmundjet. Duhet të kuptojmë veçoritë e tokës dhe ekologjinë e ujit. Të gjitha këto fusha kërkojnë studime të thella shkencore".

Instituti kërkimor në Filipine thotë se ka nevojë për 60 milionë dollarë në vit për të vazhduar kërkimet dhe përparimet shkencore. Por buxheti i tij arrin vetëm në 2 të tretat e kësaj shume. Zoti Ziegler dhe institucioni që ai drejton vazhdojnë përpjekjet për të siguruar fonde, duke theksuar para donatorëve mesazhin se tani, më shumë se kurrë, shkenca mund të jetë vija e fundit e mbrojtjes në luftën kundër urisë për një pjesë të madhe të botës. //rd//

XS
SM
MD
LG