Lidhje

Kujtohen viktimat e komunizmit


Çdo vit, Fondacioni i Memorialit për Viktimat e Komunizmit përkujton më shumë se 100 milionë viktimat e komunizmit dhe nderon ata që i rezistuan me sukses tiranisë komuniste. Në përvjetorin e parë kushtuar Memorialit të Viktimave të Komunizmit në Washington, Fondacioni nderoi ligjvënësin e ndjerë Tom Lantosh duke i dhënë familjes së tij Medaljen e Lirisë Truman-Reagan.

Përfaqësues nga 20 ambasada të ish vendeve komuniste, anëtarë të kongresit dhe viktima të komunizmit nga shumë vende ishin të pranishëm në ceremoninë e vendosjes së kurorave. Megjithë ftesën, ambasada ruse nuk ishte e pranishme në këtë ceremoni. Megjithatë, Alexandras Radzius, themeluesi i Grupit Historia e Jetës Partizane Lituaneze mbart ende një nga trashgimitë më tragjike të pushtimit sovjetik të vendit të tij.

"Ne ishim viktima pasi gjithë themeli ekonomik i familjes sime u shkatërrua si rezultat i pushtimit komunist. Shumë nga ata u deportuan në Siberi".

Dr. Lee Edwards, kryetari i Fondacionit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit ishte student në Parsi gjatë kryengritjes hungareze kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1956. Fondacioni i tij do të hapë së shpejti Muzeun Global për Komunizmin në Internet.

"Do të nisim muzeun në Internet në janar të vitit të ardhshëm pasi është 20 vjetori i rëzimit të komunizmit në Evropën Lindore dhe Qëndrore dhe fillimi i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik."

Udhëheqësi i Shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Steny Hoyer shpjegon arsyen përse ky memorial nuk mban emrat e viktimave.

"Për ta nuk do të mund të gjenim vend të mjaftueshëm. Në se do të shkruanim emrat e 100 milionëve njerëzve dhe më shumë, që vazhdojnë të shuhen, ky momument do të duhej të shtrihej në një distancë madhore, përmes dyerve të Kapitolit deri në shtetin e Virxhinias dhe të Merilendit gati 80 milje. Ky është një memorial pa emra për ata që vdiqën tragjikisht pasi iu zhdukën emrat dhe identiteti i tyre".

Nderi i Medaljes së Lirisë Truman-Reagan këtë vit iu dha Tom Lantosh, gruaja e të cilës Annette e pranoi atë në emër të bashkëshortit të saj të ndjerë. Ai u largua nga vendi i tij, Hungaria pak pasi partia komuniste mori kontrollin. Ai ishte i vetmi i mbijetuar i Holokaustit, që shërbeu në kongresin amerikan.

"Tom u ngrit nga hiri i shkatërrimit, humbja e çdo gjëje që kishte, familjen, shtëpinë, vendin e tij për të përmbushur një jetë të gjallë dhe produktive. Ai dha një kontribut të madh për përmirësimin e kësaj bote".

Medalja i jepet çdo vit individëve që janë dalluar në luftën kundër komunizmit dhe tiranisë. Përveç theksimit të përpjekjeve të atyre që rezistuan komunizmin, organizata jep një bazë të fuqishme historike dhe një mësim për brezat e ardhshëm.

"Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme pasi ajo që nuk kujtohet harrohet dhe ajo që harrohet tolerohet. Por mendoj se më e rëndësishme, përveç kujtimit të së kaluarës është e ardhmja. Është mirë të ketë monumente, është mirë kujtimi, por duhet të mësojmë nga e kaluara. Në se nuk mësojmë, atëhere historia mund të përsëritet". (ze)

XS
SM
MD
LG