Lidhje

Mbyllet raundi i dytë i votimeve në Maqedoni


Sot në Maqedoni u përsëritën zgjedhjet në 187 qendra votimit, dy javë pasi raundi i parë i zgjedhjeve u shoqërua me incidente me armë dhe manipulime. Qendrat e votimit u mbyllën para rreth një ore.

Rezultati i balotazhit nuk pritet të ndryshojë rezultatin e përgjithshëm, të zgjedhjeve të 1 qershorit, të cilat u fituan nga Partia konservatore në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski.

Analistët thonë se rezultatet e sotme mund të ndihmojnë në përcaktimin e partisë që do të ftojë zoti Gruevski në koalicionin në pushtet.

Ndërkohë, autoritetet nuk njoftuan për ndonjë incident serioz. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kishin bërë thirrje zyrtarëve maqedonas që të siguroheshin për zhvillimin e balotazhit të drejtë dhe pa incidente.

Zyrtarët maqedonas ishin zotuar të bënin çdo përpjekje për të siguruar që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohej në qetësi, pasi Bashkimi Evropian paralajmëroi se zgjedhjet e shoqëruara me akte dhune mund të ngadalsojnë përparimin e vendit të tyre drejt anëtarësisë në BE.

Pas lajmeve do të kemi materiale të zgjeruara si nga Prishtina ashtu edhe nga Shkupi.

XS
SM
MD
LG