Lidhje

Presidenti Bush i bën thirrje Iranit të rishqyrtojë propozimet ndërkombëtare


Presidenti Xhorxh Bush shprehu zhgënjim për refuzimin nga Irani të paketës ndërkombëtare të nismave që synojnë të ndalin programin e tij bërthamor. Pas bisedimeve në Paris me homologun e tij francez Nicola Sarkozi, zoti Bush e quajti këtë një shenjë për iranianët që tregon se udhëheqësit e tyre janë të gatshëm t'i izolojmë edhe më tej. Zoti Sarkozi theksoi se populli iranian meriton më shumë sesa rruga pa krye ku e ka çuar qeveria e tij.

Konferenca e përbashkët për shtyp, ishte një demonstrim uniteti në politikën ndaj Iranit. Presidentët Bush dhe Sarkozi folën për kërcënimin që përbën mundësia e një Irani si fuqi bërthamore. Zoti Bush tha se marrëveshja që iu paraqit udhëheqësve iranianë nga i dërguari i Bashkimit Evropian Havier Salana është e mirë dhe i bëri thirrje atyre të rishqyrtojnë kundërshtimet dhe të ndërpresin pasurimin e uraniumit.

"Jam i zhgënjyer që udhëheqësit kundërshtuan këtë ofertë bujare. Kjo tregon se iranianët dhe udhëheqja e tyre janë të gatshëm të izolohen edhe më tej," tha zoti Bush.

Libani ishte gjithashtu temë diskutimi në takimin e Parisit.

Gjatë një konference për shtyp, zoti Bush i bëri thirrje Sirisë jo vetëm të ndalë ndërhyrjet e saj në punët e Libanit por të ri-analizojë lidhjet midis Damaskut dhe Teheranit.

"Mesazhi im, tha Presidenti, është të ndalet loja me iranianët dhe strehimi i terroristëve."

Presidenti u pyet gjithashtu rreth prespektivës për një marrëveshje amerikane të sigurimit me Irakun që do të ofronte baza ligjore për qëndrimin e trupave amerikane pas përfundimit të mandatit të OKB-së. Kryeministri Nouri al-Maliki tha se negociatat kanë ngecur. Por presidenti tha se ka shpresa.

"Nëse do të isha i basteve, do të thosha se do të arrijmë marrëveshje me irakianët."

Iraku krijoi tensione mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës që janë ulur që kur Nicholas Sarkozy u bë president vitin e kaluar. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë kuptuar se mund të dëgjojnë dhe mësojnë nga njëra tjetra.

"Mund të bisedojmë shumë hapur kur kemi mosmarrëveshje. Por këtë duhet ta bëjmë si aleatë dhe miq," tha Presidenti Sarkozi.

Më pas Presidenti Bush nderoi trupat amerikane dhe franceze që u vranë në luftë. Ai shkoi fillimisht në një varrezë të ushtrisë amerikane në Mount Valerien, pranë Parisit. Më pas presidenti vizitoi një përkujtimore të luftës franceze, ku prehen eshtrat e luftëtarëve të rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG