Lidhje

Garda e Car Llazarit merr përgjegjësinë për sulmin në një stacion policie në Mitrovicë


Mjetet serbe të informimit thonë se një formacion paraushtarak serb që veten e quan Garda e Car Llazarit, ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e djeshëm në një stacion policie në Mitrovicë. Një pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës dhe një person i paidentifikuar janë plagosur një natë më parë në një shkëmbim zjarri në atë qytet.

Zyrtarë të policisë thanë se një person i panjohur i është afruar stacionit të policisë në pjesën jugore të qytetit dhe ka shtënë me armë zjarri duke plagosur një oficer të policisë. Oficerët tjerë janë kundërpërgjigjur duke plagosur sulmuesin. Policia thotë se ende nuk di asgjë për identitetin e sulmuesit dhe as motivet e sulmit.

Por, mbrëmë ndërkaq mjetet serbe të informimit transmetuan një njoftim të formacionit "Garda e Car Llazarit" që merr përsipër këtë sulm mbi stacionin e policisë. Mjetet serbe të informimit thanë se sulmuesi është Predrag Xhorxhevic, serb 28 vjeçar i lindur në qytetin e Zemunit afër Beogradit dhe i cili mund të jetë anëtarë i gardës.

Ky formacion që mban emrin e një princi mesjetar serb është kërcënuar edhe më herët se do të luftojë kundër pavarësisë së Kosovës. Administrata Ndërkombëtare e ka cilësuar të paligjshme dhe i ka ndaluar çdo veprimtari kësaj garde në territorin e Kosovës.

Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë i ndarë në dy pjesë në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe. Që nga përfundimi i luftës qyteti ishte burim tensionesh që pasqyrojnë ndarjet e thella etnike. Veriu i këtij qyteti është shndërruar në skenë të kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG