Lidhje

Shkencëtarët në kërkim të metodave për të rritur prodhimin bujqësor


Në kushtet kur çmimet e orizit janë rritur së tepërmi, shkencëtarët po përpiqen për gjetjen e varieteteve të reja, që mund të ushqejnë një numër më të madh njerëzish, duke përdorur më pak burime. Shkencëtarët thonë se bota ka nevojë të investojë më tepër në kërkimet për orizin, me synimin për të luftuar urinë mes njerëzve. Heda Bayron ishte në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Orizin në Los Banos të Filipineve, prej nga na dërgoi këtë material:

Fermerët kujdesen për një fushë të mbjellë me oriz gati për korrje. Kërcejt e orizit përkulen nga era, të rënduara me kokërriza të arta.Fermerët ndjekin zogjtë, për t'i larguar ata nga fushat e mbjella pranë Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Orizin, në qytetin Los Banos.

Me rritjen e madhe të çmimit të orizit, shumë vetë druhen se 700 milionë nga të varfërit e botës nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë më ushqyerjen me oriz.

Në institut, shkencëtarët janë në garë për gjetjen e varieteteve të orizit, por që kërkojnë më pak burimeve, për ushqyerjen e më tepër njerëzve.Robert Zeigler është drejtor i institutit. Ai thotë se nuk ka një zgjidhje të menjëhershme për çmimet e orizit.

Shtimi i kërkesës ka vazhduar rregullisht gjatë 50 vjetëve të fundit, rritja e numrit të popullsisë vazhdon, kemi një rritje dhe zhvillim ekonomik, që të gjitha këto e shtojnë konsumin e ushqimeve. Por prodhimi nuk ka qenë i të njëjtit nivel me kërkesën.

Shumë faktorë e kanë bërë të vështirë për fermerët e orizit në mbarë botën, që t'i përgjigjen me prodhim kërkesës së madhe për oriz: konkurrenca përherë e më e madhe për sigurimin e ujit për vaditje, çmimet e larta të karburantit dhe moti i keq .

Gjithashtu, po pakësohet edhe toka bujqësore. Përgjatë autostradës që të çon në institutin e orizit, janë ngritur fabrika dhe qendra tregtare, që dikur ishin toka orizore. Ky problem ndeshet në të gjithë Azinë.

Zoti Zegler thotë një i ashtuquajtur Revolucion i dytë i Gjelbërt është mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtij problemi. "Zhvillimet shkencore të viteve 1960 dhe '70 sollën Revolucionin e parë të Gjelbërt, që u shoqërua me shtimin e prodhimit në shumë vende në zhvillim, ulën çmimin e orizit, pra përmirësuan të ardhurat e fermave. Por për disa vjet, prodhimi nuk ka shënuar rritje në shumicën e territoreve aziatike, ku rritet orizi."

Instituti thotë se prodhimi mesatar i orizit duhet të rritet me një ritëm vjetor prej të paktën 50 kilogramë për hektar gjatë 10 vjetëve të ardhshëm, për plotësimin e kërkesave të konsumatorëve. Por investimet publike në bujqësi kanë rënë me një të tretën, krahasuar me nivelin e viteve '70. "Nevojitet një përkushtim i madh nga vendet kryesore dhe nga agjencitë ndërkombëtare, për t'u siguruar që burimet ekzistojnë për një tjetër Revolucion tjetër të Gjelbërt? Kjo përfshin infrastrukturën e vaditjes, rrugët që çojnë në ferma dhe sigurisht, kjo përfshin edhe kapacitetet kërkimore."

Në sallat e Insitutit ka 100 mijë varietete orizi nga e gjithë bota, që ruhen për gjeneratat e ardhshme. Shkencëtarët studjojnë prejardhjen gjenetike të farërave, duke u përpjekur të rrisin më tepër varietete ushqyese dhe të tjera, që të mund t'u rezistojnë vërshimeve dhe thatësirës. Varitetet e suksesshme u shpërndahen pastaj fermerëve për t'u mbjellë.


Por zoti Zeigler thotë se duhen bërë më tepër studime. Institutit i nevojiten 60 milionë dollarënë në vit për t'i vazhduar kërkimet dhe zhvillimin. Por buxhetit të tij aktual i mungojnë një e treta e kësaj sasie. Zoti Zegler dhe zyrtarë të tjerë të institutit, kanë kërkuar ndihmën e donatorëve, duke dhënë mesazhin, se tani, më tepër se kurrë, kërkimet mund të jenë hallka e fundit e botës për mbrojtjen nga uria./ /IB


XS
SM
MD
LG