Lidhje

Politika e jashtme e kandidatit presidencial Xhon Mekejn


Këtu në Shtetet e Bashkuara, Xhon Mekejn, i cili pritet të emërohet si kandidati republikan për president, thotë se përvoja e ka bërë atë një idealist realist përsa i përket qëndrimeve dhe objektivave amerikane në politikën e jashtme. Ekspertët thonë se përvoja e tij në ushtri si rob lufte në Vietnam e bëjnë zotin Mekejn ta përqendrojë vëmendjen tek mbrojtja e Shteteve të Bashkuara.

Senatori Xhon Mekejn thotë se përvoja e ka bërë idealist realist për politikën e jashtme amerikane. Ekspertët pajtohen se përvoja e tij ushtarake dhe pesë vjetët si rob lufte në Vietnam bëjnë që ai t'i kushtojë shumë vëmendje sigurisë kombëtare. Zoti Mekejn i paraqiti mendimet e tij në një fjalim në Los Anxhelos në muajin mars, ku ritheksoi mbështetjen e tij të patundur për luftën në Irak.

"Unë mbaj këtë qëndrim sepse e urrej luftën dhe e di vetë sa e rëndë është. Por e di gjithashtu se nëse nuk e paguajmë këtë çmim tani, do të na kushtojë shumë më tepër në të ardhmen."


Senatori Mekejn nuk pajtohet me rivalin e tij demokrat, senatorin Barak Obama rreth luftës në Irak, meqenëse zoti Obama thotë se do t'i tërheqë trupat amerikane nga Iraku nëse zgjidhet president.


Zoti Mekejn gjithashtu i ka satirizuar deklaratat e zotit Obama se është gati të takohet me udhëheqësit e vendeve armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, si presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad apo presidenti kuban Raul Kastro.

Piter Beinart, ekspert i politikës së jashtme amerikane në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se përvoja e zotit Mekejn bën që ai të mbështetet tek forcat ushtarake amerikane dhe të jetë vigjilent ndaj kërcënimeve.

"Mendoj se Xhon Mekejn i përket traditës konservatore, prandaj e sheh botën si vend konfliktesh dhe jo bashkëpunimi, çka bën që ai të përqendrohet më shumë tek kërcënimet ushtarake dhe më pak tek çështjet e tjera."

Në shumë prej fjalimeve të tij, senatori Obama thotë se zoti Mekejn po kandidon për një mandat të tretë të presidentit Bush. Por senatori Mekejn e hedh poshtë këtë ide.

"Unë nuk e mbështes kandidaturën tek presidenca e zotit Bush, por tek shërbimi personal ndaj vendit tim."

Helli Dejll është eksperte e politikës së jashtme pranë Fondacionit Heritixh. Ajo thotë se megjithëse zoti Mekejn ka disa objektiva të përbashkëta me presidentin Bush, si fitoret në Irak dhe Afganistan, prapë është e vështirë të thuash se ku qëndron ai në spektrin ideologjik.

"Mendoj se është e vështirë ta etiketosh atë, sepse në disa çështje ai nuk është fare konservator. Duhet t'i shohësh çështjet një nga një. Nëse sheh politikën që mbështet ai për Irakun dhe Afganistanin dhe nxitjen e demokracisë në të gjithë botën, ai është më pranë neo-konservatorëve. Por kur bëhet fjalë për për ndryshimet klimatike, bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe organe të tjera shumëpalëshe, qëndrimet e tij nuk janë fare konservatore."

Zonja Dejll thotë se senatori Mekejn ka nxitur debate brenda vetë partisë së tij për shkak të qëndrimeve të caktuara dhe luan rolin e një jo-konformisti të pavarur.

"Me zotin Mekejn do të ketë më shumë angazhim në institucionet shumëpalëshe, për të cilën mendoj se është interesante meqenëse ai ka shumë neo-konservatorë që janë këshilltarë në fushatën e tij, dhe ky nuk është qëndrim që i tërheq ata. Por zoti Mekejn ka mendjen e tij, dhe ne do ta kuptojmë më mirë gjatë kësaj kohe."

Xhon Mekejnin e respektojnë shumë veta në të dy partitë për shërbimin e tij ushtarak, fuqinë fizike dhe mendore, dhe personalitetin e tij të fortë. Zoti Mekejn duket se do t'u kujtojë vazhdimisht votuesve dekadat e tij në ushtri, përvojën në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare ndërkohë që përpiqet të marrë Shtëpinë e Bardhë në nëntor.//IB

XS
SM
MD
LG