Lidhje

SHBA përshëndet popullin e Kosovës për kushtetutën e re


Shtetet e Bashkuara përshëndetin popullin e Republikës së Kosovës me rastin e hyrjes në fuqi dje të kushtetutës së re. Kjo kushtetutë, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit, mishëron aspiratat dhe vendosmërinë e qytetarëve të Kosovës për të krijuar një shtet demokratik e shumetnik, që të jetë plotësisht i integruar në komunitetin euroatlantik.

Shtetet e Bashkuara përshëndesin veçanërisht ato nene të kushtetutës së Kosovës që parashikojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe që fillimisht u propozuan nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit u bëhet thirrje udhëheqësve të Kosovës të punojnë që të vënë në zbatim parimet themelore të kushtetutës për të sjellë përmirësime të ndjeshme në jetën e të gjithë qytetarëve të vendit. Si mik dhe partner, thuhet në përfundim të deklaratës, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për popullin e saj.

XS
SM
MD
LG