Lidhje

Politika e jashtme e kandidatit presidencial Barak Obama


Kandidati i pritshëm i partisë demokrate, Barak Obama thotë se do të ndryshojë drejtimin e politikës së jashtme amerikane nëse zgjidhet president. Ekspertët thonë se pikëpamjet që zoti Obama ka shprehur deri tani në fushatë e vendosin atë në rrjedhën kryesore të politikës së jashtme amerikane – megjithëse është kritikuar ashpër nga rivali i tij republikan lidhur me gatishmërinë për tu takuar me udhëheqës të vendeve kundërshtare.



Nga tërheqja e trupave amerikane në Irak – te moslejimi i Iranit për të pasur armë bërthamore e deri te çështja e qendrës së burgimit në Gjirin Guantanamo.

Barak Obama po premton një drejtim të ri në politikën e jashtme amerikane.

“Dua një ndryshim themelor. Ka ardhur koha të shohim se si e bëjmë politikën dhe t’i themi botës, jemi gati të udhëheqim. Jemi gati të udhëheqim me vepra dhe shembuj.”

Pikëpamjet e tij pasqyrojnë disa nga pozicionet në politikën e jashtme të presidentëve të mëparshëm amerikanë veçanërisht atyre të partisë demokrate. Heri Truman, Xhon Kenedi dhe të tjerë theksonin në kohën e tyre se nxitja e demokracisë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të veçohen nga lufta kundër varfërisë.

Piter Beinart është ekspert i politikës së jashtme amerikane në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Barak Obama ngjason me Udrou Uilson-in në idenë se jetojmë në një botë me kërcënime të përbashkëta si ngrohja globale dhe shëndeti publik. Paqëndrueshmëria ekonomike na kërcënon ne dhe vende të tjera, kështu që ato duhet të zgjidhen përmes bashkëpunimit.”

Për Irakun, zoti Obama ka premtuar një tërheqje me faza të trupave amerikane, duke larguar të gjitha brigadat luftuese brenda 16 muajsh. Lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit, ai premtoi këtë në një fjalim kohët e fundit në Komisionin Amerikano-Izraelit të Marrëdhënieve Publike.

"Do të bëjmë gjithçka për të ndalur Iranin të ketë armë bërthamore. Çdo gjë që kam në dorë për të ndaluar Iranin të ketë armë bërthamore."

Fjalët e tij të fuqishme i drejtoheshin rivalit republikan i cili e ka kritikuar zotin Obama si naiv dhe pa përvojë në çështje të politikës së jashtme. Me gatishmërinë për tu takuar me udhëheqës kundërshtarë si presidenti i Iranit zoti Obama është vënë shpesh në lojë nga zoti Mekejn.

“Amerikanët duhet të jenë të shqetësuar nga ky gjykim i një kandidati presidencial që thotë se është gati të bisedojë drejtëpërdrejt dhe pa kushte me tiranët nga Havana në Phenian.”

Zoti Obama nuk i ka përfillur kritikat duke thënë se presidentë të tjerë amerikanë si republikani Ronald Regan janë takuar me armiq të Amerikës. Megjithatë ekspertja e politikës së jashtme Helli Dejll në Fondacionin Heritage thotë se zoti Obama ka një pikë të dobët përsa i përket përvojës.

“Ai nuk ka përfunduar ende mandatin e tij të parë si senator dhe nuk ka qënë i ekspozuar shumë në çështjet e politikës së jashtme. Deklaratat e tij të bëjnë të mendosh se ai nuk e kupton sa duhet si funksionon politika ndërkombëtare.”

Por zoti Obama përgjigjet duke thënë se eksperienca e tij, prejardhja e tij e përzier racore dhe koha që ka kaluar në rini në Indonezi i japin një këndvështrim si askush tjetër në marrëdhëniet me jashtë.

Piter Beinart thotë se kjo e bën atë ndryshe nga presidentët e mëparshëm, lidhjet e të cilëve kanë qënë kryesisht me Evropën.

“Fakti që ka jetuar në Indonezi, një vend mysliman, por edhe fakti që ai vetë ka rrënjë jashtë Shteteve të Bashkuara në Botën e Tretë, mendoj se do të jetë një gjë e fuqishme për njerëzit në mbarë botën. Dhe kjo do të ketë ndikim tek udhëheqësit e tyre. Amerika do të vazhdojë të ketë interesa që do ta vënë në pozicione të vështira me vendet e tjera.”

Megjithatë interesimi i theksuar i botës tek zoti Obama dhe te fushata presidenciale mund të vijnë pjesërisht për shkak të formimit të tij të veçantë dhe premtimit për të hapur një kapitull të ri në politikën e jashtme amerikane. //bsa//

XS
SM
MD
LG