Lidhje

Anketa tregon përmirësim të imazhit amerikan në botë


Për herë të parë brenda një dekade, një anketë ndërkombëtare tregon se është rritur numri i njerëzve që kanë mendim pozitiv për Shtetet e Bashkuara. Megjithatë anketa flet edhe për pesimizëm mes njerëzve rreth ekonomisë botërore.

Shpresat në prag të zgjedhjes së presidentit të ri amerikan duket se kanë ndikuar në rezultatin e anketës. Sondazhi tregon se numri i njerëzve që kanë mendim pozitiv për Shtetet e Bashkuara është rritur paksa krahasuar me një vit më parë.

Qendra e Kërkimeve Pew e cila i ka zyrat në Uashington, intervistoi 2400 njerëz në 24 vende.

Anketa tregon se pikpamjet pozitive për Shtetet e Bashkuara ishin më të shumta këtë vit se sa vitin e kaluar në pothuajse gjysmën e vendeve.

Andrju Kohut është president i Qendrës Pew.

"Njerëzit në botë presin zgjedhjen e Presidentit të ri amerikan. Presidenti Bush ka qenë shumë jopopullor gjatë mandatit të tij. Mjaft njerëz, në mos shumica e tyre, thonë se presidenti i ri do të dalë me një politikë të jashtme më të pranueshme dhe mendoj se kjo mund të jetë pjesë e arsyes."

Në thuajse të gjitha vendet ku u bënë anketimet, kandidati i pritshëm demokrat Barak Obama mori më tepër mbështetje se sa rivali i tij republikan Xhon Mekejn.

Por në botën myslimane, Amerika vazhdon të jetë jopopullore. Pak të nga të anketuarit atje presin ndryshime të mëdha në politikën e jashtme amerikane, pavarësisht se kush do të fitojë.

Komentatori i Nju Jork Tajmsit, Dejvid Bruks i bën një analizë rezultateve të anketës dhe sipas tij, ato tregojnë se epokës së “pas 11 shtatorit”, kur njerëzit ishin të përqendruar te lufta kundër terrorit, po i vjen fundi.

"Më duket se një nga rezultatet e anketës është se ne po dalim nga një epokë ku opinioni global dominohej nga 11 shtatori dhe po hyjmë në një fazë që dominohet nga gjëra të tjera."

Këto gjëra të tjera përfshijnë ekonominë globale. Dhe rezultat e anketës në këtë aspekt nuk janë inkurajuese. Shumica e njerëzve në 18 nga 24 vendet ku u bë anketa thanë se gjendja ekonomike në vendin e tyre është e keqe dhe shumë të tjerë mendojnë se është ekonomia amerikane ajo që po u vret xhepin.

Përjashtime bënin Kina dhe India, ku njerëzit ishin më optimistë.

Të anketuarit u pyetën gjithashtu se ç’mendonin për Kinën, Indinë, Iranin dhe vende të tjera. Pikpamjet e favorshme për Kinën patën një farë rëniejeje krahasuar me vitin e kaluar. Por vendimi për të mbajtur Lojrat Olimpike Verore në Pekin gjen miratim te shumica e të anketuarve në shumicën e vendeve. //bsa//

XS
SM
MD
LG