Lidhje

Ndikimi i kujdesit shëndetësor tek ekonomia


Kreu i Bankës Qendrore amerikane thotë se kujdesi shëndetësor do të vazhdojë të zerë një pjesë të madhe gjithnjë e më të madhe në shpenzimet e konsumatorëve dhe të qeverisë, nëse nuk merren masa për ta riparuar atë. Duke folur në një takim mbi Reformat në Shëndetësi në Uashington, Ben Bernanke tha se përmirësimi i sistemit kombëtar të kujdesit shëndetësor është një nga sfidat më të mëdha ekonomike me të cilën perballen Shtetet e Bashkuara.


Teknologjitë dhe trajtimet e reja mjekësore po bëjnë të mundur që amerikanët të jetojnë më gjatë dhe të kenë jetë më produktive. Por, përmirësimi i cilësisë së jetesës ka filluar të kushtojë shumë. Kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke tha në një takim me zyrtarë qeveritarë dhe të shëndetësisë se pa reforma, çmimi i kujdesit shëndetësor mund të dalë jashtë kontrollit.

"Shpenzimet për kujdesin shëndetësor për çdo njeri në Shtetet e Bashkuara janë rritur më shpejt se të ardhurat për disa dekada. Nëse vazhdon kjo prirje, siç parashikojnë shumë ekonomistë, pjesa e të ardhurave që do të duhet për të paguar kujdesin shëndetësor do të rritet pa pushim."

Amerikanët tani shpenzojnë më shumë për kujdesin shëndetësor sesa për banim dhe ushqim. Vlerësimet e qeverisë tregojnë se deri në vitin 2020, shpenzimet shëndetësore do të kalojnë 22 përqind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Një tjetër sfidë është se 47 milion amerikanë nuk kanë sigurime shëndetësore. Zoti Bernanke thotë se ky është problem që i kushton qeverisë rreth 35 miliard dollarë në vit.

"Për të kufizuar ndikimin e kostos mjekësore në rritje tek buxhetet familjare, qeveria do të duhet të përballojë një pjesë gjithnjë e më të madhe të faturës së kujdesit shëndetësor, duke tendosur edhe më shumë buxhetin qeveritar."

Demokratët kanë propozuar një sistem kujdesi shëndetësor universal, ku kostoja ndahet mes të gjithë pjesëmarrësve. Megjithëse zoti Bernanke nuk ofroi ndonjë zgjidhje, ai tha se sfidat janë të mëdha.

"Meqenëse sistemi ynë shëndetësor është kaq kompleks dhe sfidat janë nga më të ndryshmet, ne nuk duhet të presim që vetëm disa reforma t'i zgjidhin të gjitha shqetësimet."

Zoti Bernanke nuk pranoi të komentojë mbi interesat bankare apo gjendjen e ekonomisë amerikane. Por shefi i Bakës Qendrore tha se kostoja e lartë e sigurimit shëndetësor për të moshuarit dhe programet e sigurimeve shoqërore mund të dëmtojnë rritjen ekonomike dhe stabilitetin e vendit në vështrimin afatgjatë. //bsa//

XS
SM
MD
LG