Lidhje

Presidenti Bush bën thirrje për shpime në det


Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të shfuqizojë ligjet që ndalojnë shpimet në det për të ulur varësinë e vendit te nafta e huaj ndërkohë që çmimet e benzinës janë rritur së tepërmi. Presidenti Bush e quajti ndalimin e shpimeve në det një ligj që i ka kaluar koha dhe tha se Kongresi duhet të veprojë me shpejtësi për të zgjeruar prodhimin e naftës në vend.

Me rritjen e çmimeve të benzinës po rritet edhe presioni ndaj politikanëve për të gjetur zgjidhje. I shoqëruar nga Sekretari i Energjisë, Samuel Bodman dhe ai i Pyjeve Dërk Kempthorn, Presidenti Bush u bëri dje thirrje ligjvënësve që të heqin ndalimin për shpimet në det.

"Kongresi duhet të përballet me realitetin e ashpër. Nëse anëtarët e Kongresit nuk duan t’i pranojnë çmimet e naftës në nivelet e dhimbëshme të tanishme ose më të larta se kaq, atëhere vendi ynë duhet të prodhojë më tepër naftë dhe duhet të fillojnë qysh tani."

Thirrja e presidentit vjen pas një deklarate të ngjashme të bërë nga kandidati republikan për president Xhon Mekejn, i cili theksoi se shpimet në det nuk do ta dëmtojnë mjedisin.

"Këto shpime janë aq të sigurta saqë as uraganet Katrina dhe Rita nuk arritën të shkaktojnë ndonjë rrjedhje të madhe nafte nga sondat që shponin në oqean përballë Nju Orlinsit dhe Hjustonit."

Kjo deklaratë është një kthesë politike për zotin Mekejn, i cili dikur ishte kundër shpimeve në det.

Kandidati demokrat rival me të, Barak Obama thotë se ndalimi duhet të mbetet në fuqi. Ai është për investime afatgjatë në burime energjie alternativë.

"Ne duhet të investojmë në kërkimet për çdo formë energjie alternative,” thotë zoti Obama."

Presidenti Bush synon gjithashtu që Kongresi të lejojë shpimet për naftë edhe në Rezervatin e Faunës dhe Florës Arktike në Alaska. Kritikët thonë se ky propozim nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm te çmimet e naftës, por presidenti thotë se koha për të vepruar është tani.

"Propozimet për të cilat fola do të kërkojnë vite për të patur ndikim të plotë. Por nuk ka justifikime për t’u vonuar. Në fakt, kjo është një arësye për të vepruar me shpejtësi."

Këshilltarët e Presidentit thonë se depozitat në det mund të mbajnë deri në 18 miliard fuqi nafte. Sasi e barabartë me prodhimin e tanishëm për 10 vjet. //bsa//

XS
SM
MD
LG