Lidhje

Sfidat e zbatimit të kushtetutës në Kosovë


Autoritetet në Kosovë janë zotuar se me hyrjen në fuqi të kushtetutës, do të marrin përgjegjësitë kryesore të ushtruara për nëntë vjet me radhë nga UNMIK-u. Megjithatë, misioni i Kombeve të Bashkuara vazhdon t'i mbajë përgjegjësitë kryesore, posaçërisht ato në fushën e sigurisë.

Veriu i vendit kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe policia e Kombeve të Bashkuara. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se institucionet e Kosovës do të jenë shumë të kujdesshme në zbatimin e ligjeve që dalin nga kushtetuta, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj shpalljes së pavarësisë.

"Proceset janë të pakthyeshme, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi të vëmendshëm. Ne do të jemi të vëmendshëm sepse qytetarët serbë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës kanë qenë tepër të manipuluar dhe kjo nuk do të zgjasë pa kufi. Ne nuk do të komprometojmë institucionet tona. Ne do të jemi të vëmendshëm përderisa nuk e rrezikojmë procesin dhe jetën e qytetarëve, por ajo që është e kryer është se institucionet e Kosovës do të funksionalizohen në mbarë territorin e Kosovës", thotë ministri Pajaziti.

Eksperti për çështje të Sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se synimi për zbatimin e kushtetutës nuk i përgjigjet realitetit në teren, sepse me të parashihet pavarësimi i plotë i policisë, gjë që nuk ka ndodhur ende. Sipas zotit Ibishi letrat e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, vetëm sa e ka thelluar problemin rreth përgjegjësive në pjesën veriore. Prandaj ai thotë se qeveria duhet të jetë më këmbëngulëse në kërkesat për shtrirjen e autoritetit të saj në tërë territorin.

"Policia duhet të ketë drejtorin e përgjithshëm, zëvendësdrejtorin dhe ndihmës drejtorin. UNMIK-u, tash në fazën e re të rikonfigurimit, duhet të kalojë në pjesën monitoruesit. Kjo nuk po ndodh, dhe faji është në ministritë përkatëse të sigurisë që duhet të veprojnë praktikisht. Nëse kjo vazhdon kështu, atëherë duhet të kalojnë muaj që kjo të vihet në jetë. Mendoj se një pjesë e përgjegjësisë ekziston edhe tek ne," thotë zoti Ibishi.

Ai shton se qeveria e Kosovës duhet të dalë me një ofertë, siç thotë ai, në pajtim me pakon e presidentit Ahtisaari për qytetarët serb të veriut, në mënyrë që të arrijë synimet e saj për të shtrirë autoritetin në tërë Kosovën.

Por, ministri Pajaziti thotë se qeveria do të punojë në bashkërendim me Misionin e Bashkimit Evropian dhe atë të Kombeve të bashkuara.

"Ne nuk kemi nevojë për strategji shtesë për sa i përket funksionalizimit të institucioneve tona. Ne tashmë e kemi kushtetutën dhe duhet ta zbatojmë atë".

Policia e Kosovës ka mbi 7,000 pjesëtarë, ndër të cilët rreth 5 për qind janë të komunitetit serb. Numri më i madh i policëve serbë është në pjesën veriore të Mitrovicës, zonë ende e mbikëqyrur nga Policia e UNMIK-ut. Veton Elshani, zëdhënës i Policisë së Kosovës thotë se kalimi i përgjegjësive tek Policia e Kosovës është çështje politike.

"Ne kemi rajonin e Mitrovicës që ende nuk ka kaluar në tranzicion. Kompetencat tona shtrihen edhe në atë pjesë përmes policisë së UNMIK-ut. Pra nëse organizohet një plan operativ, ky plan operativ do të zbatohet në mbarë territorin e Kosovës, në veriun e Kosovës përmes policisë së UNMIK-ut. Deri tani është kështu", thotë zoti Elshani.

Kalimi i përgjegjësive nga Misioni i Kombeve të Bashkuara tek institucionet e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian ende nuk është sqaruar tërësisht. Institucionet vendase presin që kjo çështje të sqarohet më shumë të premten në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. //bsa//

XS
SM
MD
LG