Lidhje

Merita Halili në Qendrën Kenedi të Uashingtonit


Për dy ditë këngëtarja e mirënjohur Merita Halili solli në dy koncerte muzikën, veshjet dhe atmosferën shqiptare. Ajo interpretoi së bashku me orkestrën e drejtuar nga bashkëshorti i saj, Raif Hyseni në qendrën Kennedy dhe në një nga sallat e Bibliotekës së Kongresit, e cila i organizoi të dyja koncertet.


Në Uashington dy ditët e fundit jehoi muzika shqiptare, falë zërit të Merita Halilit dhe orkestrës së Raif Hysenit. Me një repertor të zgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare, ata përfaqësuan këtë muzikë në një aktivitet të organizuar nga Biblioteka e Kongresit.

"Të them të drejtën është hera e parë që marr pjesë në Kennedy Center. E ndjej veten shumë mirë dhe krenare që marr pjesë në këtë qendër kaq të rëndësishme dhe kaq të madhe".

"Është në kuadrin e koncerteve verore që organizon Libraria (Biblioteka e Kongresit) së bashku me Kennedy Center dhe përfaqësohet nga muzika dhe stile të llojeve të ndryshme dhe ne si shqiptarë përfaqësojmë muzikën tonë me një repertor të zgjeruar", thotëbashkëshorti i saj.

Ethel Raim, drejtore artistike e Qendrës për Muzikë dhe Vallëzim Tradicional në New York, ka bashkëpunuar me Meritën dhe Raifin që kur erdhën në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1995.

"Unë mendoj se kjo muzikë pasuron jetën e gjithkujt, u krijon artistëve ndjesinë se kanë një vend këtu, kur vijnë. Ata mund të shprehin identitetin e tyre kështuqë është e mrekullueshme për të gjithë".

Merita ishte e veshur me një kostum tiranas 100 vjeçar, i qëndisur me ar dhe argjend.

"E kemi ruajtur dhe e kemi marrë nga sëndyqet e vjetra, nga gratë e vjetra të Tiranës që e kanë ruajtur me shumë dashuri.".

Merita preket kur i duhet të flasë për audiencën shqiptare ku ajo u rrit si këngëtare dhe që gjithmonë e ka dashur.

"Një nga mesazhet që u jap shqiptarëve kudo që janë është të ruajnë pastër folklorin, ashtu siç po e ruajmë të pastër edhe ne këtu në Amerikë".

Në audiencën e Koncertit të mbajtur në Kennedy Center, kishte edhe nga shumë spektatorë amerikanë, përfshirë edhe disa që e njohin muzikën e Ballkanit.

"Kur dëgjova për herë të parë Meritën, rreth 12 vjet më parë, u magjepsa nga zëri i saj, kaq i qartë dhe tërheqës. Muzika nuk njeh kufij kulturorë dhe politikë", thote Larry Weiner, njohës i muzikës së Ballkanit, banor i Washingtonit

Për shqiptarët e zonës përreth, koncerti i Meritës ishte shumë i veçantë. Shumë prej tyre prekeshin ndërsa dëgjonin këngët, duartrokisnin dhe këndonin.

Me kalimin e minutave, rritej edhe shkalla e entuziazmit, që arriti kulmin kur të pranishmit filluan të kërcenin nën tingujt e këngës të Tish Daisë, "Bjeri gajdes, Gajdexhi".

"Jam shumë e gëzuar që mora pjesë në këtë koncert të Merita Halilit dhe më ngjalli shumë emocione", thotë Gallata Xhana.

Koncerti i Merita Halilit na emocionoi pa masë. Mua personalisht m'u ngjallën kujtimet e fëmijërisë, sidomos kënga e syzezës, më ngjalli kujtimet e fëmijërisë, thotë Evi Budo.



XS
SM
MD
LG