Lidhje

OKB: Sejdiu, Tadiç – pikëpamje të kundërta në debat


Këshilli i Sigurimit zhvilloi sot një debat për rolin e ardhshëm të UNMIK-ut në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, informoi Këshillin mbi planin e tij për të ristrukturuar rolin e UNMIK-ut në Kosovë. Sipas zotit Ban, zhvillimet e reja në Kosovë, që pas shpalljes së pavarësisë, e kanë bërë të pamundur që UNMIK-u ta vazhdojë rolin e tij si deri me sot. Propozimi i zotit Ban, ashtu siç pritej u kundërshtua nga Presidenti i Serbisë Boris Tadiç. Ndërsa Presidenti i Kosovë, Fatmir Sejdiu i përshëndeti propozimet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shprehu shqetësime për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Sekretari i pergjithshem i OKB-se Ban Ki Moon, tha se ka arritur në përfundimin se paketa e paraqitur prej tij për rikonfigurimin e UNMIK-ut është zgjidhja më pak e kontestueshme për të ecur përpara. Ai tha se për këtë çështje kishte patur konsultime me të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit si dhe me Beogradin e Prishtinën. Zoti Ban shtoi se lidhur me statusin e tanishëm të Kosovës, Kombet e Bashkuara kanë mbajtur një qendrim tërësisht të paanëshëm.

Duke argumentuar nevojën për rikonfigurimin e UNMIK-ut, ai tha se Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon një rol real për misionin e Kombeve të Bashkuara dhe në Kosovë është krijuar një realitet thellësisht i ri:

“Ne duhet t’i bëjmë ndryshime pranisë sonë për të garantuar se arritjet do të ruhen dhe do të konsolidohen. Detyra do të jetë e vështirë. Për të drejtuar këtë fazë të re të misionit, kam në plan të emëroj zotin Lamberto Zanieri si përfaqësuesin tin të posaçëm. Rikonfigurimi i UNMIK-ut synon të konsolidojë sukseset e arritura gjatë një periudhe të trazuar dhe të hedhë themelet për përparimin e Kosovës në bazë të rezolutës 1244."

Ndryshimet e paraqitura nga Sekretari i Përgjithshem parashikojnë një rol më të madh të Bashkimit Evropian dhe një pakësim të ndjeshëm të rolit të OKB-së në Kosovë. Vetë qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme për vazhdimin e rolit të OKB-së në Kosovë përsa kohë që ky rol të jetë i kufizuar.Mandati i OKB-së do të vazhdojë të bazohet në rezolutën 12-44, por siç theksohet në raportin e zotit Ban, zbatimi i saj praktik do të varet nga zhvillimet në Kosovë. Bashkimi Evropian pritet të luajë një rol më të madh në Kosovë, sidomos në sektorët e rendit, të policisë, të drejtësisëdhe doganave.

Propozimi i zotit Ban, ashtu siç pritej, u kundërshtua nga Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, i cili tha se përpjekjet për të dobësuar rolin e UNMIK-ut nuk janë rruga për të ecur përpara. Sias tij, misioni i UNMIK-ut nuk është përmbushur dhe se Kombet e Bashkuara nuk duhet të largohen nga Kosova.

“Për fat të keq një pakicë vendesh kanë vendosur të mbështesin përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për tu shkëputur nga Serbia. Kjo ka vënë në rrezik arritjet e siguruara deri tani dhe punën e bërë nga Këshilli i Sigurimit gjatë dekadës së fundit për paqe dhe stabilitet,” tha Presidenti i Serbisë."

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i përshëndeti propozimet e Sekretarit të Përgjithshëm për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe shprehu shqetësime për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

“Jam posaçërisht i shqetësuar ndërkaq që fqinji ynë Serbia ka promovuar një politikë që udhëheqësit e saj e quajnë “ndarje funksionale” të serbëve etnikë nga shqiptarët etnikë në Kosovë. Siç e ka venë në dukje Sekretari i Përgjithshëm në raportin e vet, Serbia ka organizuar zgjedhje gjatë kësaj pranvere për qeveritë ilegale paralele të komunave në territorin tonë. Serbia, po ashtu ka dekurajuar serbët etnikë nga pjesmarrja në qeverinë e Kosovës dhe nga raportimi sipas zinxhirit komandues multietnik të policisë.”

Në takimin e sotëm të Këshillit të Sigurimit nuk pritej të merrej ndonjë vendim. Rusia, vend me të drejtë vetoje, u shpreh kundër çdo ndryshimi apo zbutjeje të rezolutës 12-44. Bashkimi Evropian do të mirëpriste gjithsesi ndonjë formë mbështetjeje nga Keshilli i Sigurimit, qoftë edhe në formën e një letre, që Këshilli i Sigurimit i ka marrë në konsideratë propozimet e Sekretarit të Përgjithshëm.//ii

XS
SM
MD
LG