Lidhje

Bashkimi Evropian shtyn vendimin për Traktatin e Lisbonës


Bashkimi Evropian shtyu deri në tetor çdo vendim lidhur me të ardhmen e Traktatit të Lisbonës.

Udhëheqësit e BE-së pranuan sot në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, se Republika Çeke po shqyrton problemet kushtetutore nga ratifikimi i traktatit. Ata parashikojnë që procesi i ratifikimit të vazhdojë në atë vend dhe në 6 vende të tjera anëtare.

Ndërkohë, një gjykatë e lartë britanike i bëri thirrje qeverisë që të shtyjë ratifikimin zyrtar të traktatit, pavarësisht se parlamenti e ka miratuar atë. Kjo gjykatë pritet të vendosë javën e ardhëshme mbi një kërkesë ligjore që do të detyronte zhvillimin e referendumit mbi çështjen e traktatit.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë ende pikëpyetje lidhur me Irlandën, votuesit e së cilës hodhën poshtë traktatin me anë të një referendumi javën e kaluar.

Kryeministri irlandez Brajan Kouen tha sot se qeverisë së tij i duhet kohë për të analizuar pikëpamjet sesi të veprojë mbi këtë çështje.

Disa diplomatë thanë se ekziston mundësia që irlandezët të mbajnë një votim të ri, varësisht nga ndryshimet që mund t'i bëhen traktatit. Të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta ratifikojnë traktatin në mënyrë që ai të hyjë në fuqi. Deri tani traktati është miratuar nga 19 vende. //rd//

XS
SM
MD
LG