Lidhje

SHBA: Seancë konfirmimi për ambasadoren e re në Kosovë


Në senatin amerikan dje u zhvillua një seancë për konfimimin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tina Kaidanow dhe ambasadorit në Maqedoni, Filip Riker. Ata ishin mes një numri ambasadorësh të emëruar nga Presidenti Bush dhe që presin konfirmimin e Senatit.


Nëse konfirmohet, Tina Kaidanow do të jetë ambasadorja e parë amerikane në Kosovë. Duke folur përpara një komisioni të Senatit, zonja Kaidanow tha se në katër muajt e parë të pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në zbatim të planit Ahtisari për mbrojtjen e pakicave. Ajo tha gjithaahtu se Kuvendi i Kosovës ka kaluar 40 ligje të reja për zbatimin e këtij plani dhe ka miratuar Kushtetutën e re e cila plotëson standardet më të larta. Por ajo tha se Kosova përballet me sfida të shumta:

"Kundërshtimi i Beogradit ndaj pavarësisë e sidomos politika e tij e hapur për nxitjen e ndarjes etnike në Kosovë, ka krijuar një kërcënim serioz për qendrueshmërinë. Megjithatë, ne besojmë fuqimisht se zgjidhja e statusit ka hapur dyert që Kosova të marrë vetë përgjegjësitë për të ardhmen dhe për mirëqenien e popullit të saj."

Për ta bërë këtë, tha zonja Kaidanow, Kosova do të ketë nevojë për ndihmë. Bashkimi Europian do të japë ndihmën kryesore për shtetin e ri dhe Shtetet e Bashkuara do ta inkurajojnë BE-në që të luajë këtë rol kryesues. Megjithatë, tha zonja Kaidanow, angazhimi aktiv i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të jetë me rëndësi thelbësore. Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë për të forcuar ekonominë e Kosovës, për të inkurajuar metodat demokratike të qeverisjes dhe për të fuqizuar shoqërinë civile, me theks të veçantë te programet në favor të pakicave etnike, tha zonja Kaidanow.

"Ndoshta përparësia më e madhe e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është inkurajimi i një shoqërie shumetnike ku të mbrohen me vendosmëri të drejtat, siguria dhe kultura e këtyre pakicave, sidomos të asaj serbe. Në pak vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar objekte infrastrukture në komunitetet serbe, ka mbrojtur shqetësimet e tyre dhe ka inkurajuar qeverinë e Kosovës që të japë mbështje politike dhe financiare për kthimin e qendrueshëm të serbëve të zhvendosur."

Suksesi i Kosovës, tha zonja Kaidanow, është në interes të Shteteve të Bashkuara.

Filip Riker, i emëruar si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shkup, është një diplomat i cili prej kohe ka qenë i angazhuar me çështjet e Maqedonisë. Që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, tha ai, asnjë periudhë nuk ka qenë e lehtë për këtë vend. Por sot, tha zoti Riker, Maqedonia është një shtet i qendrueshëm, unitar dhe model i demokracisë shumëetnike në Ballkan.Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Maqedoninë, tha zoti Riker nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta se sa sot dhe ndjenjat proamerikane mes të gjitha kombësive janë mjaft të forta. Zoti Riker kritikoi ndërkohë zgjedhjet e fundit parlamentare të Maqedonisë.

"Zgjedhjet parlamentare të 1 qershorit në Maqedoni ishin shumë zhgënjyese. Ato nuk i plotësuan standardet ndërkombëtare. Pati incidente dhune, frikësimi dhe manipulimesh kryesisht brenda forcave rivale të komunitetit shqiptar."

Zoti Riker tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Maqedoninë dhe Greqinë për t’i inkurajuar të dyja palët të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e emrit sepse kjo do të ishte në interes jo vetëm të rajonit por edhe të Shteteve të Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG