Lidhje

Problemet demografike të Rusisë


Shumë më tepër rusë po vdesin në moshë të re në krahasim me numrin e foshnjeve të lindura për të ruajtur numrin e popullsisë. Si rezultat Rusia përballet me një rënie të shpejtë të popullatës, gjë që rrezikon mirëqenien ekonomike, si dhe ndoshta aftësinë për të ruajtur territorin e këtij vendi kaq të madh.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, popullata e Rusisë ka rënë mesatarisht me 700 mijë persona në vit. Jetëgjatësia e femrave në Rusi është 73 vjeç dhe ajo e meshkujve 59 vjeç, të paktën 10 vjet më e ulët se ajo e vendeve të Europës Perendimore. Larisa Ilgova humbi të shoqin nga një sëmundje në mëlçi. "Unë kam shumë miq dhe ata të gjithë po vdesin në moshë të re, si 47, 48, 50 apo 60 vjeç".

Ekspertët e shëndetësisë thonë se disa nga arsyet e këtij numri të lartë të vdekjeve janë sëmundjet e zemrës, dieta e keqe, puna e vështirë, duhani, shthurrja seksuale dhe mbi të gjitha alkooli. Por demografi rus Igor Beloborodov thotë se alkooli është simptomë e një problemi më të madh: një sëmundjeje shpirtërore tek popullata në përgjithësi. Ai thotë se ky problem nuk prek pjesën e popullatës me besim të fortë fetar, duke vënë në dukje faktin se ata jetojnë më gjatë, kanë më shumë fëmijë, megjithëse nuk janë në gjendje më të mirë financiare.

"Kjo mund të shihet tek komuniteti i besimtarëve ortodoksë por edhe tek fetë e tjera si muslimanët dhe budistës. Ata kanë ruajtur një farë kodi moral. Një qëndrim pozitiv ndaj vlerave familjare demonstrohet në prirjet demografike dhe në numrin e fëmijëve në familje".

Zoti Beloborodov shton se ateizmi për 75 vjet dhe keqmenaxhimi ekonomik nga komunistët shkatërroi jo vetëm themelet shpirtërore dhe materiale të rusëve, por edhe strukturën familjare. Sistemi komunist, thotë ai, krijoi ato që ai i cilëson si 'bomba demografike me sahat' të cilat vazhdojnë të shpërtheje në Rusi shumë vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Këto bomba demografike me sahat përfshijnë ligjësimin e abortit, ndalimin e pronës private dhe mohimin e të drejtave të trashëgimisë dhe shpërblimin e grave për të punuar për komunizmin më tepër se sa të kujdesen për fërmijët e tyre.

Kryeministri Vladimir Putin para pak kohësh bëri thirrje që të meren masa për ta rritur jetëgjatësinë e rusëve në 75 vjeç deri në vitin 2020, por demografi Beloborodov nuk beson se ky problem mund të zgjidhet brënda 12 vjetësh. Ai thotë se përpjekjet nuk duhet përqëndruar vetëm në rritjen e jetëgjatësisë, por edhe në shtimin e lindjeve. Ai thotë se Rusia ka nevojë për një popullatë të re jo vetëm për t'u kujdesur për pensionistët, por për të zhvilluar ekonominë dhe ta mbajtur të fortë ushtrinë.

Rusia ka rreth 12 milion emigrantë, shumica e tyre të paligjshëm, që përmbush nevojat në rritje për punë në Rusi. Disa prej tyre janë sulmuar madje edhe vrarë nga rusë që urrejnë të huajt. Megjithë se numri i lindjeve vitin e kaluar shënoi një rritje të vogël, Kombet e Bashkuara parashikojnë se popullata e Rusisë do të vazhdojë të bjerë nga 141 milion që ka tani në më pak se 100 milion deri nga mesi i këtij shekulli. //rd//

XS
SM
MD
LG