Lidhje

Bush i bën thirrje Kongresit të heqë pengesat për çpimet e naftës në det


Në fjalën e tij të përjaveshme në radio, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush edhe një herë i bëri thirrje Kongresit të heqë pengesat për çpimet e naftës në det, për të rritur prodhimin energjetik të Shteteve të Bashkuara. Zoti Bush tha se demokratët në Kongres janë duke bllokuar propozimet e tij dhe si rezultat, pjesërisht janë fajtorë për çmimet e larta të benzinës.

Për të argumentuar çpimin për naftë në bregdet, Presidenti Xhorxh Bush u përqëndrua në çmimin e karburantit.

"Problemi kryesor pas çmimeve të larta të karburantit është se furnizimi nuk i është përgjigjur kërkesave në rritje në të gjithë botën. Një zgjidhje e mundëshme për Amerikën është të rrisë prodhimin e saj të brendshëm të karburantit".

Në fillim të javës, Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara për heqjen e pengesës që ndodhet në fuqi prej 27 vjetësh për çpime nafte dhe gazi në det, duke ndërhyrë në një vit zgjedhjesh me debate për politikën energjitike.

Ai u bëri thirrje ligjvënësve për abrogimin e këtij ligji që të nxiten shtetet bregdetare për hapjen e më shumë zonave në ujrat kontinentale për kërkime. Zoti Bush riforcoi një propozim të njejtë nga senatori Xhon Mekein, kandidati republikan për president. Senatori Barak Obama, kandidati demokrat e kundërshton këtë.

Në fjalën e tij në radio të shtunën drejtuar popullit amerikan, zoti Bush shtoi retorikën e tij politike. Për shkak se rritja e kostos së energjisë është bërë problemi kryesor për votuesit, zoti Bush dhe pasuesit e tij republikanë janë duke u përpjekur t'i portretizojnë demokratët si pengesë për masat që ndihmojnë uljen e çmimit të benzinës.

"E di që udhëheqësit demokratë në të kaluarën kanë kundërshtuar disa nga këto politika. Tani që pozicioni i tyre ka kontribuar në rritjen e çmimeve të benzinës në nivele rekord, i kërkoj atyre të rishikojnë pozicionin e tyre. Në qoftë se udhëheqësit e Kongresit presin deri në 4 korrik pa ndërmarrë ndonjë veprim, atyre u duhet të shpjegojnë pse më shumë se 1 dollar për litër nuk është i mjaftueshëm për ata të ndërhyjnë".

Udhëheqësit demokratë dhanë shenja se nuk do të ndryshojnë qëndrim.

Kongresmeni Nik Rahall, demokrat nga shteti i Virxhinias Perëndimore, tha se propozimi i zotit Bush nuk do të sjellë atë lloj lehtësie në pikat e karburantit për të cilën amerikanët kanë nevojë. Ai tha se kompanitë e naftës kanë në përdorim 68 milion akra tako të qeverisë të cilën e kanë marrë me qera, të cilat kanë një kapacitet që pothuajse të dyfishojnë prodhimin e naftës dhe gazit amerikan dhe të ulin çmimet e naftës së importuar nga një i tretë.

"Kompanitë e mëdha të naftës nuk i përdorin këto sipërfaqe dhe ndërkohë i gëzohen fitimeve rekord, ndërsa amerikanët ndjejnë dhembjen e çmimeve në pikat e karburantit".

Veprimi i zotit Bush mbart një rrezik politik sepse kërkimet në bregdet kanë ndeshur kundërshtim në Florida, shtet që do të jetë një fushë beteje në fushatën elektorale. Kritikët e planit shqetësohen se kjo do të dëmtojë plazhet e Floridës dhe do të largojë turistët.

Gjithashtu, plani i zotit Bush bën thirrje për lejimin e kërkimeve dhe çpimin në një zonë prej 19 milion akrash në Rezervatin Kombëtar të Kafshëve të Egra të Arktikut në Alaska dhe dhënien me qera të tokave për nxjerrjen e mineraleve dhe naftës nga zonat argjilore pellgun ujor të Lumit Jeshil në Kolorado, Uajoming dhe Jutah.

XS
SM
MD
LG