Lidhje

Dhuna e të rinjve në qytetin e Baltimorës


Qyteti Baltimor në shtetin Merilend njihet si një nga qytetet më të dhunshëm të Amerikës. Policia thotë se në gjysmën e parë të këtij viti, niveli i krimeve, duke përfshirë vrasjet, pësoi rënie. Por autoritetet i shqetëson numri në rritje i krimeve të dhunshme të kryera nga të rinjtë afrikano-amerikanë.


Në një lagje tjetër shikon një shenjë përkujtimore. Është vendi ku një 22 vjeçar është vrarë një mëngjes herët. Policia thotë se dhuna këtu është pjesë e një prirjeje në rritje krimesh që kryhen nga adoleshentë zezakë, siç shpjegon detektivi i policisë Gene Bennett."Sapo ndjejnë se u është shkelur nderi ata bëjnë çdo gjë për ta vënë në vend. Zakonisht, ata kryejnë akt dhune ndaj dikujt për të cilin mendojnë se u ka cënuar emrin."

Detektivi thotë se vitet e fundit ai ka parë të rinj të moshave 14 deri 25 vjeç si më të prirur për të kryer vepra të dhunshme.


Në shkallë vendi, statistikat tregojnë se vrasjet e kryera nga adoleshentët zezakë janë rritur 52 përqind mes viteve 2002 dhe 2006, sipas kolonelit të policisë John Skinner.

"Tre-katër vitet e fundit kemi patur shtim të viktimave mes të rinjve dhe shtim të pjesmarrjes së tyre në krime apo incidente me armë. Jemi përpjekur shumë ta përqendrojmë vemendjen te ndryshimi i kësaj prirjeje të fundit."

Policia në Baltimorë po nxjerr më shumë policë për patrullimin e rrugëve në lagjet problematike.

Një prej detyrave të tyre është inkurajimi i të rinjve që t’u shmangen ndikimeve të cilat mund t’i çojnë drejt jetës së krimit. Veç policisë, ka edhe njerëz të tjerë që përpiqen t’i ndihmojnë të rinjtë.

"Nuk ka alternativë tjetër veç burgut dhe vdekjes. Por streha e sigurt u jep atyre jetë dhe shpresë sepse kështu ata mund të hyjnë në dialog me të tjerët, të marrin këshilla."

Pastori Willie Ray është themelues i organizatës së quajtur “Shpëto një të ri tjetër”. Ai e themeloi organizatën 13 vjet më parë në lagjen Rosemont të Baltimorës ku varfëria është diçka e zakonshme dhe ku droga e dhuna dikur bënin kërdinë."Para disa muajsh u përpoqa të bëj vetvrasje sepse isha pa shpresë, nuk kisha strehë."

Pastori përpiqet të ngushëllojë njerëz si Dana Barnes e cila dëshiron një jetë larg drogës. Pastori po kërkon fonde për të hapur dhjetra strehë të tjera edukimi. Këtu të rinjtë këshillohen, trainohen për punë dhe edukohen. Disa pastorë po formojnë organizata të rinjsh si alternativë ndaj bandave kriminale.

Pastori thotë se gjatë dekadës së fundit ka arritur mjaft për ta pastruar lagjen nga krimi por rruga përpara tij nuk do të jetë e lehtë.//IB

XS
SM
MD
LG