Lidhje

SHBA: Ndikimi i fushatës presidenciale tek gratë


Fushata presidenciale e Senatores Hillari Clinton u dha energji grave dhe i hapi më tej dyert për pjesëmarrjen e tyre në jetën politike të Shteteve të Bashkuara. Por shumë analistë thonë se vendi ka përpara një rrugë të gjatë, para se të realizojë barazinë gjinore përsa i përket pjesëmarrjes në institucionet qeverisëse.

Senatorja Hillary Clinton jo vetëm që ishte gruaja e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që kandidoi për postin e presidentes, por shumë analistë thonë se fushata e saj u dha grave një fuqizim të ri në politikë.

Carroll Doherty, Ndihmësdrejtoreshë e Qendrës Kërkimore Pew në Washington, thotë se anketimet tregojnë se fushata e senatores Clinton rindezi debatin lidhur me rolin e gjinisë në politikë dhe mundësinë e zgjedhjes së një gruaje presidente në Shtetet e Bashkuara.

"Ne e zhvilluam anketimin pikërisht para fillimit të fushatës dhe shtruam në parim pyetjen: 'A ishte diçka e mirë, diçka e keqe, apo nuk ka rëndësi zgjedhja e një gruaje në postin e presidentit?' Një e treta e të anketuarve tha se kjo ishte diçka e mirë. Vetëm 9 për qind thanë se kjo ishte diçka e keqe. Shumica e njerëzve thanë se nuk ka ndonjë rëndësi. Dhe unë jam e mendimit, thotë studjuesja, se në aspektin historik, kjo ishte diçka me të vërtetë e rëndësishme, sidomos në se i hedhim një vështrim viteve '70 dhe '60. Anketimet tregojnë se në atë kohë, shumë amerikanë e kishin problem të votonin për një gura, thjesht për shkak të gjinisë. Pra, kjo nuk duket se përbënte problem për fushatën e kësaj radhe".

Numri i grave të zgjedhura në organet legjislative të mbarë vendit është rritur me ritme të ngadalta gjatë viteve. Ligjvenësja e parë amerikane u zgjodh në vitin 1916. Në vitin 1922 u zgjodh gruaja e parë në Senat. Vitin e kaluar, për herë të parë në historinë amerikane, një grua u zgjodh në postin e Kryetares së Dhomës së Përfqasësuesve.

Por Susan Carroll në Univeristetin Rutgers në Nju Xhersi, thotë se numri i grave të zgjedhura në poste të ndryshme politike në Shtetet e Bahskuara mbetet i vogël, krahasuar me elektoratin e grave, që përbën rreth 54 për qind të votuesve të regjistruar.

"Ekziston një mungesë vazhdimësie interesante në kuptimin që gratë, që nga viti 1980, e kanë tejkaluar numrin e burrave që kanë votuar. Por kjo nuk qëndron kur është fjala për numrin e grave që mbajnë poste zyrtare, ku gratë përbëjnë vetëm çerekun e ligjvënësve të shteteve; ndërsa gratë anëtare të Kongresit dhe të nivelit të guvarnatorit përbëjnë vetëm 16 për qind të të gjitha posteve. Pra, bëhet fjalë për një përqindje të vogël, kur kemi parasysh se gratë përbjnë 50 për qind të elektoratit".

Zonja Carrol shton se numri i vogël i grave në organet drejtuese ka të bëjë me perceptimin e shoqërisë për gratë dhe me mënyrën se si gratë e perceptojnë veten, kur ato marrin pjesë në fusha që tradicionalisht u përkisnin burrave. Kjo nuk do të thotë se grave u mungon vetëvlerësimi, thotë zonja Carroll, përsa kohë që gratë shpesh marrin pjesë në fusha të ndryshme por problemi është se tradicionalisht, politika është një fushë që i ka përkitur meshkujve. Ajo shton se vetë gratë, kur është fjala për politikën, shpeshherë nuk e shikojnë veten të kualifikuar për t'u përfshirë.

Sipas disa ekspertëve, burrat janë më të avancuar kur është fjala për të kandiduar për poste në politikë, ndërsa grave u nevojitet më tepër inkurajim që të kërkojnë poste zyrtare. Disa analistë thonë se kjo ka të bëjë më tepër me rrymat shoqërore, me traditën dhe me ndjenjën e ndrojtjes tek vetë gratë.

Megjithatë, gra me aftësi dhe me ambicie politike kanë prirjen për t'u hapur rrugën drejt politikës grave të brezit të ardhshëm. E këtij mendimi është sociologia Pamela Paxton, e Universitetit Shtetëror të Ohios.

"Nga studimet që janë bërë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, e dimë se vajzat e reja, ato adoleshente, ndikohen nga imazhi i grave në politikë. Vajzat e reja adoleshente shprehin më tepër interes në politikë dhe për të patur një karrierë politike, kur shohin një përfshirje të madhe të grave në Parlament, qoftë në botë, qoftë në Shtetet e Bashkuara, pra në se shohin si shembull gra politikane të shquara".

Disa analistë thonë se burrat, por edhe gratë, po përparojnë ngadalë kur është fjala për të mbështetur idenë që gratë të aspirojnë të zgjidhen në poste.

Jo Freeman, e Qendrës Woodrow Wilson për Studime Ndërkombëtare, thotë se gratë në Shtetet e Bashkuara kanë një rrugë të gjatë për të përshkruar. Por ajo pret që gratë të jenë frymëzuar nga shembulli i Hillari Clintonit dhe fushata e saj, duke shtuar se shembulli i senatores që kandidoi për të siguruar emërimin e Partisë për zgjedhjet presidenciale do t'i hapë rrugën grave në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës.

"Gratë kanë bërë përparime gjatë 30, 35 vjetëve të fundit, thotë zonja Freeman. Por me fushatën presidenciale në ShBA njihet e gjithë bota, pra të gjithë e morën vesht që një grua ishte shumë pranë marrjes së emërimit të Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale".

Megjithëse grave që kandidojnë për poste politike në Shtetet e Bashkuara u është dashur të përpiqen shumë për t'u zgjedhur, shumica e analistëve thonë se ato janë më pranë barazisë me burrat në fushën politike, se sa asnjëherë tjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara.


XS
SM
MD
LG