Lidhje

Shefi i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer në Kosovë


Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jaap de Hoop Scheffer shkon sot në Kosovë, për të takuar udhëheqësit më të lartë vendas e ndërkombëtarë dhe trupat e NATO-s në pjesën veriore të vendit, skenë e kundërshtimeve të ashpra të pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës.

Vizita e zoti Jaap de Hoop Scheffer zhvillohet në prag të fillimit të rikonfigurimit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, i cili do të bëhet në bazë të udhëzimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe që synon krijimin e hapësirave për vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kjo vizitë pritet të jetë pjesë e përpjekjeve për të qartësuar mandatin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës.

Ndryshimi i paralajmëruar i UNMIK-ut, i cili ka administruar Kosovën për nëntë vjet me radhë, nuk ka qartësuar deri në fund ndarjen e përgjegjësive në fushën e sigurisë dhe ne veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Zoti Jap de Hoop Scheffer pritet të takojë edhe drejtuesit e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë të njohur me emrin EULEX.

Vendosja e këtij misioni në Kosovë dhe paralajmërimi i rikonfigurimit të UNMIK-ut është kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe serbët e Kosovës. Ndërsa institucionet e Kosovës i kanë kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, që periudha e rikonfigurimit dhe e kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek EULEX-i të jetë sa më e shkurtër.

XS
SM
MD
LG