Lidhje

Maqedoni: Nikolla Gruevski fillon bisedimet me partitë shqiptare për formimin e qeverisë

  • Isak Ramadani
  • Shkup

Nikolla Gruevski, kryetar i partisë VMRO-DPMNE e cila i fitoi zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 1 qershorit, e mori sot mandatin për formimin e qeverisë së re. Menjëherë më pas, zoti Gruevski i filloi bisedimet me drejtuesit e dy partive shqiptare, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, lidhur me përfshirjen eventuale të tyre në qeverinë e re. Bisedimet pritet të vazhdojnë në nivel të grupeve të punës, ndërkohë që zoti Gruevski është optimist, se kabineti i tij do të miratohet para afatit, që përfundon më 6 gusht. Partia e tij e ka shumicën në Parlament, që edhe e vetme të mund ta miratojë qeverinë e re.

Zoti Nikolla Gruevski, prej sot, ka edhe 20 ditë në disponim për të formuar qeverinë e re të Maqedonisë. Presidenti Branko Cërvenkovski ia dorëzoi atij mandatin për ta formuar qeverinë e re, pasi partia e tij VMRO-DPMNE doli fituese në zgjedhjet e 1 qershorit. Zoti Gruevski sot i filloi bisedmet edhe me dy partitë shqiptare PDSH dhe BDI, lidhur me përfshirjen eventuale të tyre, apo të ndonjërës nga to, në qeverinë të cilën do ta drejtojë ai. Nikolla Gruevski tha se qeverinë e re e pret shumë punë dhe angazhime, realizim i shumë projekteve.

Menjëherë pasi e mori mandatin ai u takua me Menduh Thaçin e PDSH-së. Ky i fundit thotë se ende është herët të thuhet se qeveria do të formohet së shpejti.

Lidhur me mundësinë e përfshirjes së dy partive shqiptare në qeveri Zoti Thaci thotë se nuk është punë e partisë së tij të vendosë se kush do të hyjë në qeveri, por se partia e tij do të vendosë nëse do të hyjë së bashku në qeveri me BDI-në, ose jo.

PDSH ende nuk e di se kur do të kthehet në Parlament. Kryetari i saj, Thaçi, mendon se duhen hapur bisedime lidhur me largimin e kryetarit të KSHZ-së nga posti, për shkak të siç thotë, vjedhjes së votave nga partia e tij në zgedhjet e fundit.

Më pas, mandatari Gruevski u takua me Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk u prononcua për mjetet e informimit pas takimit me zotin Gruevski, por në një komunikatë nga zyra e BDI-së thuhet se të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për dinamikë të përshpejtuar të bisedimeve dhe për temat që do të diskutohen në takimet e ardhshme për ndërtimin e qeverisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Zoti Gruevski para pak ditësh ka paralajmëruar se cilado parti shqiptare që do të bëhet pjesë e qeverisë së tij, do të duhet t'i pranojë kushtet, përkatësisht programin e partisë së tij VMRO-DPMNE, lidhur me reformat në fushën e ekonomisë, por nuk përjashtohet kërkesa, që partia shqiptare në qeveri, ta mbështesë një referendum shumë të përfolur, mbi çështjen e ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Sipas ligjeve, qeveria duhet të formohet deri para 6 gushtit.//lk

XS
SM
MD
LG