Lidhje

Kontrata me AEY: Komisioni i Kongresit vë para përgjegjësisë Departamentet e Mbrojtjes dhe të Shtetit


Komisioni për Mbikqyrjen dhe Reformën i Kongresit amerikan zhvilloi sot një seancë lidhur me arsyet që çuan në dhënien e kontratave kompanisë AEY me qendër në Miami, e cila blinte municione nga Shqipëria për t'i dërguar në Afganistan. Komisioni mori në pyetje 3 zyrtarë të Departamentit të mbrojtjes që merren me kontraktimin e armëve, William Phillips, Mitchell Howell dhe Jeffrey Parsons dhe 1 zyrtar i Departamentit të Shtetit, Steven Mull, ndihmës sekretar i shtetit në detyrë për çështjet politiko-ushtarake. Ligjet amerikane ndalojnë shitblerjen e armëve apo municioneve të prodhimit kinez dhe kompania AEY akuzohet se ka qenë e përfshirë në blerjen dhe transferimin e këtij lloj municioni që mbahej në depot e Shqipërisë.


Një nga pyetjet kryesore që shtroi në seancë kryetari i komisionit Henry Waxman ishte se si ka mundësi që një kompani e drejtuar nga një 21-vjeçar të fitojë një kontratë prej 300 milion dollarësh për furnizimin me municion të forcave afgane. Zoti Waxman tha se komisioni ka tani informacione të shumta se çfarë nuk funksionoi kur kontrata iu dha kompanisë AEY në janar të vitit 2007. Ne e dimë, tha ai, se municioni i livruar nga kjo kompani ishte i papërdorshëm dhe se një pjesë e mirë e tij ishte i prodhimit kinez. Kontrata e qeverisë me këtë kompani u pezullua këtë vit, pasi kompanisë AEY i ishin paguar 60 milion dollarë. Kemi mësuar gjithashtu, tha kryetari i komisionit, se ekzistojnë pikëpyetje lidhur me rolin e ambasadës amerikane në Shqipëri në përpjekje për të fshehur origjinën kineze të municionit që blihej nga kompania AEY. Zyrtarët ushtarakë që dëshmuan në fillim të seancës thanë se kontrata me kompanisë AEY ishte bërë në përputhje me rregullat por, thanë ata, nevojitet që në të ardhmen të forcohen standadet e kontrollit për këto kontrata.

Anëtarja e Komisionit, perfaqesuesja e Washingtonit ne Kongres, Eleanor Norton tha se të gjithë personat e përfshirë në blerjen e municioneve nga Shqipëria ishin në listën e njerëzve nën vëzhgim, listë që përfshin emrat e atyre që janë marrë me tregëti të paligjshme armësh.


“Burimi i municioneve ishte firma shtetërore shqiptare, MEICO me drejtor Ylli Pinarin. Ai është futur për herë të parë në këtë listë në vitin 2005,” tha zonja Norton.


Në listën personave nën vëzhgim ishin edhe Efraim Diveroli i futur aty në vitin 2006 si dhe firma e tij AEY qe ne vitin 2005. Po ashtu edhe ndërmjetësi Henry Tomei ishte futur në listë që në vitin 2006.

Departamenti i Shtetit po mbledh informacion për dyshimet ndaj ambasadorit Uidhers

Seanca ishte pritur me interes sidomos për një letër që kryetari i këtij komisioni, Henry Waxman i kishte dërguar sekretares amerikane të shtetit Kondoliza Rajs ku hidhte dyshime mbi ambasadorin amerikan në Tiranë John Withers se ka gisht në fshehjen e origjinës së municioneve që bliheshin në Shqipëri.

Gjatë seancës ndihmës sekretari i shtetit në detyrë për çështjet politiko-ushtarake, Steven Mull nuk pranoi të komentonte lidhur me këto njoftime.

Por duket iu përgjigjur pyetjeve të anëtarit të Komisionit Bruce Braley, ai tha se Departamenti i Shtetit ka në plan t’u përgjigjet këtyre akuzave serioze përmes kanaleve të duhura pasi të grumbullojë informacionin e duhur.

Megjithëse nuk pranoi të jepte hollësi, zoti Mull tha se çdo shkelje e ligjit amerikan do të ishte e papranueshme.

Komisioni ka intervistuar në fillim të muajit atasheun ushtarak të ambasadës amerikane në Shqipëri Larry Harrison, i cili flet për një takim të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar me ish ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers e zyrtarëve të tjerë të ambasadës. Sipas majorit Harrison, ambasadori Withers e miratoi idenë që të hiqeshin të gjitha arkat me municion kinez nga objekti që do të vizitonte gazetari. Gjithnjë sipas dëshmisë së majorit, zoti Withers u shpreh në atë takim se heqja e municionit kinez do të lehtësonte dyshimet për shkelje ligji. Letra e zotit Waxman drejtuar sekretares së shtetit Rajs le të kuptohet se ambasadori Withers e dinte që municioni ishte i prodhimit kinez.

Gjithashtu, në letër thuhet se në përgjigjet e ambasadës amerikane ndaj pyetjeve të komisionit bëhet përpjekje për të fshehur takimin e nëntorit 2007.

Dje Kryetari i Komisionit Waxman ka bërë një kërkesë tjetër për dokumenta shtesë dhe për takimet e diplomatëve të ambasadës dhe zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG