Lidhje

SHBA: Ndryshimi përkundrejt përvojës, temë kryesore e zgjedhjeve presidenciale

  • Xhim Mallon

Me përfundimin e zgjedhjeve paraprake, senatori Barak Obama është përqëndruar tek kundërshtari i tij i Partisë Republikane, senatori Xhon Mekejn, si dhe tek mundësia për t’u bërë presidenti i parë afrikano-amerikan.

“Ka qytetarë që nuk i përkasin asnjë partie politike por edhe anëtarë të partisë republikane të cilët e dijnë se këto zgjedhje nuk janë për partinë por për një nevojë për ndryshim në Washington.”

Senatori Mekejn, nëse fiton në nëntor, do të ishte presidenti më i moshuar në historinë amerikane. Por zoti Mekejn shpreson të përfitojë nga përvoja e tij ushtarake dhe atë në kongresin amerikan.

“Unë e admiroj dhe e respektoj senatorin Obama. Por ai nuk e ka diturinë, përvojën dhe gjykimin për ta udhëhequr këtë vend në këto kohë të vështira dhe sfiduese. Unë e kam një përvojë të tillë."

Senatori Obama po shkon drejtë këtyre zgjedhjeve me një avantazh të vogël në sondazhe dhe demokratët janë më të angazhuar se republikanët. Ekspertët thonë se shqetësimet e votuesve për një sërë çështjesh do të jenë në favor të zotit Obama. Thomas Mann është ekspert politik në institutin Brookings këtu në Washington.

"Kemi një president republikan aspak popullor, dhe një publik, shumica e të cilit beson se vendi po shkon në drejtim të gabuar, si dhe shqetësime si për shembull ndaj sigurimit shëndetsor dhe ekonomisë, por edhe ndaj një luftë jo popullare në Irak.”

Duke pasur parasysh klimën e përgjithshme politike, senatori Mekejn është i vetëdijshëm se ka përpara një rrugë të vështirë.

“Unë e di se duhet të bëj një fushatë intensive në çdo aspekt kundër rivalit të tim dhe për këtë arsye nuk e nënvlerësoj atë. E konsideroj veten si një kandidat me shanse më të vogla.”

Por zoti Mekejn e ka treguar më parë se tërheq mbështetjen e votuesve të moderuar prandaj eksperti Thomas Mann thotë se kjo e bën atë një kandidat konkurent në zgjedhjet e nëntorit.

“Për arsye të së kaluarës së tij shumë tërheqëse, reputacionit, mendimit dhe pavarësisë së tij, ai i tërheq këta votues.”

Statusi i zotit Mekejn si hero lufte mund të jetë një faktor tërheqës për votues që janë të shqetësuar rreth mbrojtjes së vendit nga terrorizmi. Kjo thotë analisti Mann mund t’i japë atij përparësi ndaj senatorit Obama, rreth të cilit, shprehet analisti, disa njerëz kanë dyshime për aftësitë e tij për të qenë komandant i forcave të armatosura.

Ekonomia, ngrritja e çmimeve të benzinës, sigurimi shëndetsor si dhe Iraku janë çështjet kyçe në këtë fushatë. Amerikanët do të zgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm më 4 nëntor. (ze)

XS
SM
MD
LG