Lidhje

Ndërtesat e rrënuara të ambasadave në Uashington shtrojnë debate


Ndërtesa të ambasadave, të boshatisura ose të lëna pas dore në Washington DC, po shkaktojnë zemërimin e fqinjëve duke acaruar marrëdhëniet mes diplomatëve dhe banorëve. Ndërtesat diplomatike janë zakonisht në zona të mira të kryeqytetit amerikan – në godina që kanë vlera arkitekturore dhe historike. Por duket se ankesat e banorëve kanë patur pak ndikim pasi pasuritë e patundshme të ambasadave konsiderohen si tokë e huaj.

Është Rruga e Ambasadave. Këtu janë shtëpitë dhe zyrat e shumë diplomatëve.

Ajo është një nga zonat më të pasura të Washingtonit dhe zgjatet nga Bulevardi Massachusetts, një arterje e madhe plot vila në të dy anët.

Rob Halligan banor i zonës tregon me gisht ndërtesën e lënë pas dore të ambasadës së Republikës Demokratike të Kongos. Vila e vitit 1908 është rrënuar.

Një tjetër pronë në Rrugën e Ambasadave duket gjithashtu e lënë pas dore. Boja e plasaritur, dritaret e ndryshkura dhe barërat e këqija i bëjnë kto vila dikur elegante të duken të vjetra – duke zemëruar njerëz si Halligan.

Aty ka patur banorë të paligjshëm. Më duket se ka ujë në bodrum. Ajo është e hapur dhe brenda ka pëllumba që po e shkatërrojnë ndërtesën dhe po e bëjnë të gjithë lagjen të ketë më shumë parazitë. Banorët e paligjshëm që jetojnë aty mund ti vënë edhe zjarrin dhe kjo do të ishte më e keqja.

Ambasada e Republikës Demokratike të Kongos, e zhvendosur në zyra të reja, është vetëm një shembull.

Ndërtesa të rrënuara ka Malajzia, Pakistani, Aegjentina, ish Jugosllavia dhe vende të tjera, të cilat janë bërë objekt ankesash nga ana e Ligës për Ruajtjen e Qytetit.

Rebecca Miller është drejtoreshë ekzekutive e organizatës.

Bulevardi Massachusetts është një zonë historike e Washingtonit. Ajo është në Regjistrin Kombëtar të Objekteve Historike, është simboli i zhvillimit të Washingtonit. Të shikosh një zonë kaq të njohur të rrënohet, kjo është shumë e rëndë dhe shumë njerëz nuk e kapërdijnë dot këtë fakt.

Ka shumë shpjegime se përse nuk mirëmbahen këto ndërtesa disa prej të cilave kanë vlerë prej miliona dollarësh. Disa ambasada si ajo e Pakistanit, i kanë zhvendosur zyrat në ndërtesa më moderne në pjesë të ndryshme të qytetit. Të tjerë kanë arsye të ndryshme – ndoshta mungesë fondesh.

Megjithatë diplomatët e misioneve të ndryshme të kontaktuar nga Zëri i Amerikës nuk pranuan të jepnin intervista.

Ajo që duket qartë është fakti se qeveria e Distriktit të Kolumbias është e pafuqishme të veprojë pasi këto prona konsiderohen si territor i huaj, gjë që zemëron banorët si Rob Halligan.

Është tokë e huaj dhe për shkak të marrëveshjeve reciproke që kanë arritur vendet, qeveria lokale nuk ka forcë ligjore të merret me ambasadat e huaja.

Nga ana e tij, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se po punon përmes kanaleve diplomatike për ti nxitur misionet e huaja të riparojnë godinat kur ka ankesa.

Pas publikimit të kësaj çështjeje – veçanërisht pas një artikulli të Washington Postit, në Rrugën e Ambasadave shikon aktivitet të ri.

Një punëtor heq bojën nga Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërsa tek ambasada e braktisur e Republikës Demokratike të Kongos, kontraktuesit po bëjnë matjet për ndoshta një ristrukturim të ardhshëm që fqinjët thonë se është i domosdoshëm për të gjallëruar përsëri Rrugën e Ambasadave.

XS
SM
MD
LG