Lidhje

Barak Obama u kërkon financuesve 10 milionë dollarë për shlyerjen e borxhit të zonjës Klinton


Kandidati demokrat për president, Barak Obama, i kërkoi ekipit të tij të financave ta ndihmojnë zonjën Hillari Klinton të paguajë 10 milionë dollarë nga borxhi i krijuar gjatë fushatës së saj presidenciale. Kërkesa e djeshme e senatorit të Ilinoit bëhet në prag të takimit të tij me ish-rivalen Klinton nesër, kur senatorja e Nju Jorkut ta njohë zotin Obama me financuesit kryesorë të fushatës së saj.

Të premten zoti Obama dhe zonja Klinton do të zhvillojnë për herë të parë fushatë së bashku. Zonja Klinton hoqi dorë nga fushata e saj presidenciale në fillim të qershorit. Në fund të muajit maj ajo tha se borxhi i saj gjatë fushatës ishte më tepër se 22 milionë dollarë. Para pak ditësh, senatori Obama deklaroi se nuk do të përdorte fonde publike për fushatën e tij në garë me kandidatin republikan Xhon MecCain.

Zoti Obama mori pjesë në një ceremoni me pjesëmarrjen e figurave të famshme të Hollivudit në Los Anxhelos, të Kalifornisë dhe po ashtu bëri thirrje për donacione të vogla nga përkrahësit e tij në Internet. Kandidatët të cilët pranojnë fondet publike për fushatën – gjithsej 84 milionë dollarë, nuk mund të marrin para nga donatorët, ndërsa ata që nuk fonde publike janë të lirë të pranojnë pa kufizim para nga persona privatë./ /lk

XS
SM
MD
LG