Lidhje

Shtohet presioni ndaj Iranit për programin e tij bërthamor


Irani është nën presion të vazhdueshëm lidhur me ambicjet e tij bërthamore. Perëndimi i ka oftuar atij vendi stimuj për ta bindur që të heqë dorë nga programi i pasurimit të uraniumit, ndërsa Bashkimi Evropian i ka vënë sanksione të reja. Analistët janë të mendimit se krahas procesit diplomatik, kërcënimi me veprime ushtarake nuk përjashtohet.

Administrata e Presidentit Bush i përmbahet idesë se problemi bërthamor i Iranit mund të zgjidhjet në rrugë diplomatike. Por kërcënimi me përdorimin e forcës ushtarake, megjithëse nuk është shprehur hapur, po shoqëron manovrat diplomatike. Diskutimet për një sulm kundër Iranit, që u duk se u zhdukën muajt e funidt kanë filluar të shfaqen përsëri.

Hollësitë e përgatitjeve ushtarake nga forcat ajrore izraelite iu dhanë gazetave amerikane dhe britanike, dhe zyrtarë të pa identifikuar amerikanë dhe izraelitë u cituan të kenë thënë se manovrat duket se ishin stërvitje për sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Disa analistë besojnë se stërvitjet izraelite kishin si qëllim presionin ndaj Shteteve të Bashkuara që këto të vepronin kundër Iranit.

Analisti i çështjeve iraniane në Degën e Kërkimeve të Kongresit, Ken Katzman, thotë se Izraeli po e humbet gjithnjë e më shumë durimin për moszgjidhjen e çështjes bërthamore të Iranit.

"Tani duket se Izraeli po e merr këtë çështje gjithnjë e më seriozisht, duke synuar të bëhet pjesë e lojës. Për mendimin tim, Izraeli po përpiqet të thotë se ‘dikush duhet të bëjë diçka, në të kundërtën neve do të na duhet ta bëjmë atë. Përse ju të gjithë nuk e bëni këtë?’ Mendoj se Izraeli po sinjalizon se do të fillojë të bëjë diçka sëshpejti”.

Analistët ushtarakë thonë se Izraeli nuk mund ta sulmojë Iranin pa bashkëpunua me amerikanët. Wayne White, një ish zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit për zbulimin në Lindjen e Afërme dhe Azinë Jugore, thotë se Irani është jashtë rrezes së veprimit të bombarduesve izraelitë, të paktën pa u furnizuar gjatë fluturimit.

"Izraelitët kanë problem me distancën. Kapaciteti i tyre ajror është i kufizuar. Ata mund të godasin disa pika të rëndësishme të infrastrukturës bërthamore të Iranit, por realisht nuk do të ishin në gjendje ta dëmtonin në atë masë që t’i duheshin vite Iranit ta riparonte”.

Sipas një ananlize të firmës private të zbulimit, Stratfor, thuhet se furnizimi me karburant në fluturim, ka më shumë të ngjarë të bëhej mbi Irak, por hapësira ajrore e Irakut është ende nën kontrollin amerikan. Kjo do të thonë, sipas analizës së Stratforit, se Shtetet e Bashkuara do të ishin bashkëpunëtorë të Izraelit, edhe pse në versionin zyrtar do të thuhej se ai ishte një akt i njëanëshëm i Izraelit.

Shumica e analistëve janë të një mendimi se sulmi kundër Iranit nuk do të ishte një goditje e vetme kundër objektve të tij bërthamore, si në rastin e Irakut në vitin 1981 dhe si në rastin e Sirisë kohët e fundit.

Instituti i Washingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme ka publikur studimin me titull “Mjeti i fundit”, i cili është studimi i parë politik i kryer nga një institucion jo-qeveritar kërkimesh, që merr në analizë strategjinë dhe pasojat e një veprimi ushtarak parandalues kundër Iranit, siç quhet ai në këtë studim.

Bashkëauroti i studimit, Michael Eisenstadt, thotë se suksesi i fushate ajrore kundër Iranit nuk mund të gjykohet vetëm nga përmasat e dëmit fizik që ajo mund të sjellë.

"Për të vlerësuar suksesin e politikës, kriteri real do të ishte nëse Irani do të vendoste ta rindërtonte ose jo infrastrukturën bërthamore. Kjo është në fakt konsiderata më e rëndësishme”.

Wayne White, që tani punon në Institutin e Lindjes së Mesme, thotë se rezultati nuk dihet me siguri dhe ndoshta një sulm kundër Iranit mund ta bëjë atë të shprehë edhe më me forcë ambicjet e tij bërthamore për t’u bërë një fuqi me armë të tilla.

Analistët thonë se Irani mund të hakmerret në forma nga më të ndryshmet në rastin të një sulmi kundër tij, përfshirë ndërmarrjen e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe kundër objekteve civile izraelite, si edhe sulme kundër trupave amerikane në Irak.

XS
SM
MD
LG