Lidhje

KLD kërkon shkarkimin e tre gjyqtarëve mbi çështjen Delijorgji


Nënkryetari i Këshilit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka vendosur t'i propozojë Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit, shkarkimin e tre gjyqtarëve të gjykatës së Apelit në Durrës, të cilët i dhanë pafajsinë Mihal Delijorgjit, biznesmenit shqiptar të përfshirë në çmontimin e municioneve në Gërdec.

Zoti Spahiu tha se pas një inspektimi të gjatë të çështjes, është konstatuar se procesi ndaj Delijorgjit, i cili ishte dënuar për kontrabandë, kishte shkelje të rënda, të cilat mundësuan dhënien e pafajësisë. Vendimi i gjykatës daton më 17 dhjetor të vitit 2007 dhe pak ditë më pas, Delijorgji përfshihet zyrtarisht në operacionet e çmontimit në Gërdec, ndërkohë që ai kishte kohë që ishte partner me presidentin e kompanisë amerikane e cila kishte marrë përsipër aktivitetin e ç'aktivizimit.

Aktualisht Delijorgji është ndër tre të arrestuarit për shpërthimin e Gërdecit, së bashku me drejtuesin e kompanisë Meiko. Ai po hetohet edhe për një trafik të mundshëm armësh në operacionin e shitjes së fishekëve kompanisë tjetër amerikane AEY.//lk

XS
SM
MD
LG