Lidhje

Banka Boterore e rendit Shqipërinë pas vendeve të rajonit për qeverisjen

  • Armand Mero
  • Tiranë

Shqipëria është pas vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit në shumë aspekte te qeverisjes, pavarësisht përmirësimeve të vërejtura. Ky është përfundimi i një studimi të Bankës Botërore për treguesit e qeverisjes në vitin 2007. Edhe në luftën kundër korrupsionit ndonëse përparimet vlerësohen të mëdha, sërish Shqipëria mbetet poshtë mesatares rajonale

Studimi i Bankës Botërore për treguesit e qeverisjes në mbi 210 vende të botës është një përpjekje për t’u ofruar mundësi dhe të dhëna që përdoren nga politikë-bërësit dhe grupet e shoqërisë civile, si një mjet për të vlerësuar sfidat e qeverisjes dhe për të monitoruar reformat. Shqipëria këtë herë ka shënuar përparim në të gjashtë kategoritë e treguesve të qeverisjes, por megjithatë studimi nxjerr në pah se në shumicën e grupeve, ajo mbetet pas vendeve të tjera të Ballkanit.

Pozicionin më të mirë vendi e ka fituar për stabilitetin politik, ku nga të gjitha vendet ballkanike vetëm Mali i Zi ka patur një tregues më të mirë. Po ashtu, edhe treguesi i Cilësisë Rregullatore e rendit Shqipërinë në gjysmën e parë të vendeve me nivel më të mirë, ndërkohë që përmirësime të dukshme, sipas studimit, janë vënë re edhe në treguesin e Lirisë së fjalës dhe Përgjegjshmërisë. Por këtu ndonëse është futur sërish në gjysmën e parë të vendeve me nivel më të lartë, ajo është disi prapa nga fqinjët dhe nën mesataren rajonale.

Shqipëria ka patur përmirësim edhe në treguesin për efikasitetin e qeverisë, por ajo është nën mestaran e Europës Lindore apo vendeve të Balltikut e po ashtu edhe pas Malit të Zi, Maqedonisë e Serbisë, të cilat sipas studimit, kanë një ecuri më të mirë.

Po ashtu, vendi është poshtë mesatares si të Europës ashtu dhe të rajonit edhe për kontrollin e Korrupsionit, pavarësisht kapërcimit në pikë që ka bërë në 2007 krahasuar me 2006. "Shqipëria ka një paraqitje shumë më të keqe sesa Serbia, Bosnjë Hercegovina dhe Mali i zi",- vlerëson Banka Botërore.


Shteti i së drejtës vazhdon të mbetet një problem serioz, ku Shqipëria ka paraqitjen më të keqe. Edhe ato pak përmirësime, nuk e kanë ndihmuar vendin t’i largohet zonës së kuqe, apo fundit të renditjes së realizuar nga studimi. Vendet e rajonit vlerësohen të kenë qenë shumë më mirë.

Studimi i përvitshëm i Bankës Botërore realizohet duke shfrytëzuar e përdorur 35 burime të ndryshme të dhënash, për të përmbledhur e gjetur pikëpamjet e dhjetëra mijëra pjesëmarrësve në anketim në të gjithë botën, si dhe mijëra ekspertëve në sektorët privatë e publikë.//lk

XS
SM
MD
LG