Lidhje

Server: Maqedonasit dhe shqiptarët kanë treguar vullnet për zgjidhjen e problemeve me dialog

  • Keida Kostreci
  • Uashington

Zvarritja e ftesës së NATO-s për shkak të çështjes së emrit, procesi i zgjatur zgjedhor dhe tensionet mes partive shqiptare, kanë krijuar shqetësime për të ardhmen e Maqedonisë. Por një ekspert këtu në Uashington e sheh me optimizëm të ardhmen e vendit. Daniel Server, i Institutit të Paqes thotë se si maqedonasit, edhe shqiptarët kanë treguar maturi dhe vullnet për t’i zgjidhur problemet përmes dialogut.


Megjithëse Maqedonia po kalon momente të vështira politikisht, zoti Server thotë se përsa kohë që çdo gjë të bëhet në mënyrë paqësore, bashkëpunuese, duke respektuar kushtetutën dhe marrëveshjen e Ohrit, nuk ka arsye për alarm. Ai thotë se askush nuk mund të bëjë parashikime të sakta për të ardhmen politike por Maqedonia ka shënuar përparim vitet e fundit.

“Si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme për të shmangur skenaret më negative që kanë ndodhur në zona të tjera të Ballkanit. Maqedonia ka treguar aftësitë për të zgjidhur çështjet politike paqësisht edhe në mes të tensioneve të jashtëzakonshme”, - tha ai.

Partia fituese në zgjedhje, VMRO-DPMNE e ka arritur shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë, megjithatë kryetari i saj Nikolla Gruevski ka thënë se do të krijojë koalicion me partinë shqiptare që fiton më shumë vota. Zoti Server thotë se prirja tradita për bashkëqeverisur me një nga partitë shqiptare, është pozitive.

Gjykata e Lartë ka vendosur që këtë të dielë të përsëriten zgjedhjet në 15 qendra votimi dhe rezultatet do të përcaktojnë numrin e vendeve në parlament për partitë shqiptare. E megjithëse tensionet janë shfaqur më shumë mes vetë partive shqiptare, ai mendon se ato janë të kapërcyeshme:

“E di që është e vështirë, e di që shpesh ka polemika të ashpra, por ajo që shoh unë është një vend që po përpiqet të kapërcejë ndasitë etnike dhe gjuhësore shumë të vështira dhe po përpiqet ta bëjë këtë me rrugë demokratike dhe tregon forcën e institucioneve të saj. Dhe unë jam shumë optimist”.

Zoti Server thotë se për të nuk ka rëndësi se çfarë qeverie do të dalë por a janë institucionet në Maqedoni të konsoliduara sa ç’duhet:

“Dhe sa vjen e bëhet më e qartë se përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është ‘po’. Institucionet janë të forta, kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit po ashtu. Njerëzit janë në gjendje të negociojnë për të arritur një marrëveshje politike pa përdorur dhunën dhe kjo është diçka jashtëzakonisht pozitive”.

Greqia e bllokoi ftesën e NATO-s për Maqedoninë në takimin e Aleancës në Bukuresht dhe deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e emrit. Zoti Server shpreson që kjo çështje të zgjidhet se më shpejt.

“Në fakt kjo çështje nuk ekziston fare. Ka një problem me Greqinë që ka të bëjë me emrin por për botën në përgjithësi ky problem nuk ekziston. Bllokimi që bëri Greqia nuk është e denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe ka ardhur koha që ajo ta kapërcejë këtë çështje”.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara Methju Nimec ndodhet sot në Greqi për të diskutuar me Ministren e Jashtme Dora Bakojanis për çështjen e emrit, ndërsa nesër shkon në Shkup. Po nesër në Shkup shkon edhe zëvendës ndihmës Sekretarja e Shtetit, Rozmari di Karlo, e cila do të mbajë bisedime me autoritetet për situatën politike, Kosovën dhe perspektivën e anëtarësimit në NATO. Pas një takimi me sekretaren amerikane të shtetit Kondoliza Rajs, zonja Bakojanis tha se nuk gjasa që kjo çështje të zgjidhet deri më 9 korrik.//lk

XS
SM
MD
LG