Lidhje

Presidenti Bush: Do të hiqen sanksionet ndaj Phenianit, veprimi shpërblehet me veprim


Presidenti Bush thotë se është i gatshëm të heqë një pjesë të sanksioneve kundër Koresë së Veriut dhe ta heqë këtë vend nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin. Komentet e presidentit u bënë pasi Pheniani dorëzoi një dokument që pritej prej kohësh për aktivitetet e tij bërthamore.

Presidenti Bush thotë se negociatat shumë-palëshe me Korenë e Veriut rreth çështjes bërthamore, janë zhvilluar duke pasur për bazë parimin: “veprimi shpërblehet me veprim".
Tani që Pheniani dorëzoi dokumentin mbi aktivitetet e tij bërthamore, tha presidenti, u takon Shteteve të Bashkuara të mbajnë premtimin e tyre:

“Do të nxjerr vendimin që heq sanksionet tregëtare ndaj Koresë së Veriut. Së dyti, do të njoftojë Kongresin rreth synimit për ta hequr Korenë e Veriut brenda 45 ditësh nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin.”

Por Presidenti shtoi, se ai nuk ushqen asnjë iluzion rreth natyrës së regjimit të Koresë së Veriut dhe shtoi se ai vazhdon të ketë dyshime rreth synimeve të Phenianit.

Presidenti Bush tha se Koreja e Veriut ka ende shumë për të bërë, duke shtuar se deklarata është hapi i parë i një rruge të gjatë.

“Koreja e Veriut duhet të çmontojë objektet bërthamore, të heqë dorë nga pasurimi i plutoniumit, të sqarojë dyshimet mbi uraniumin e pasuruar, si dhe mbi përhapjen e teknologjisë së armëve bërthamore dhe t’u japë fund këtyre aktiviteteve në mënyrë të verifikueshme”.

Presidenti Bush vuri në dukje synimin e Phenianit për të shkatërruar të premten impiantin e ftohjes në reaktorin bërthamor të Jong-Bjonit në praninë e kamerave televizive. Koreja e Veriut, tha presidenti, po merr vendimin e duhur për momentin dhe ai i bëri thirrje udhëheqjes së këtij vendi që të vazhdojë në këtë rrugë.

“Kjo është një mundësi e mirë për Korenë e Veriut. Në se ky vend vazhdon të marrë vendime të drejta, kjo do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me komunitetin ndërkombëtar, ashtu siç ndodhi me Libinë gjatë viteve të fundit. Në se Koreja e Veriut merr vendime të gabuara, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë në bisedimet 6 palëshe do të përgjigjen në përputhje me to”.

Presidenti i bëri komentet gjatë një konference shtypi të organizuar në minutën e fundit në Shtëpinë e Bardhë. I pyetur nga gazetarët, ai mbrojti me forcë rrugën e diplomacisë shumë-palëshe, që u ndoq për Korenë e Veriut, një vend, që ai dikur e kishte cilësuar si pjesë e “boshtit të së keqes”.

Presidenti Bush tha se bisedimet e drejtëpërdrejta midis Uashingtonit dhe Phenianit nuk patën sukses dhe se rruga e vetme për të arritur sukses ishte përmes bashkëpunimit me Kinën, Korenë e Jugut, Rusinë dhe Japoninë në bisedimet 6 palëshe.

“Ne kemi punuar intensivisht përmes diplomacisë shumë-palëshe, pasi bisedimet e drejtpërdrejta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kim Jong Ilit nuk patën sukses në të kaluarën,"- tha Presidenti.

Kritikët thonë se deklarimi i aktiviteteve bërthamore nga ana e Koresë së Veriut nuk i përmbush plotësisht kërkesat fillestare të administratës së Presidentit Bush. Informacioni i dhënë nga Pheniani, thonë ata, nuk jep, për shembull, një listë të hollësishme të arsenalit bërthamor të këtij vendi.

Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, Stivën Hadli, thotë se informacioni i Phenianit plotëson një nga përparësitë e kërkesave të administratës, atë që ka të bëjë me hollësitë rreth prodhimit të plutoniumit.

“Ishte pikërisht programi i plutoniumit që bëri të mundur prodhimin e plutoniumit të pasuruar që Koreja e Veriut përdori në provën bërthamore të vitit 2006. Dhe është infrastruktura e plutoniumit, që, në se nuk shkatërrohet, mund të përdoret për armë të tjera bërthamore."

Zoti Hadli thotë se mësimi i fakteve rreth programit të plutoniumit dhe shkatërrimi i infrastrukturës së tij, është jetike. Informacioni i dhënë nga Pheniani, shton ai, ndoshta mund të ofrojë të dhëna të reja, që mund të çojnë në qartësimin e shqetësimeve të tjera, mes tyre, edhe ato për aktivitetin e përhapjes së programit bërthamor.

Këshilltari i presidentit, po ashtu theksoi se administrata vazhdon t’i shohë me dyshim synimet e Phenianit. "Koreja e Veriut, - tha ai, - duhet ta ketë të qartë, se sanksionet mund të rivendosen, ose edhe të forcohen më tej, në se ky vend zgjedh rrugën e konfrontimit në të ardhmen".//lk

XS
SM
MD
LG