Lidhje

Franca merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian


Franca merr sot presidencën e Bashkimit Evropian me shpresë për të çuar më tej integrimin evropian në çështje si imigracioni, mbrojtja, mjedisi dhe bujqësia.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozi, ka parashtruar objektiva ambicioze për Bashkimin Evropian për 6 muajt e ardhshëm nën presidencën e radhës së Francës. Ai synon të vendosë politika evropiane më të bashkuara dhe më të ashpra për imigracionin dhe strehimin politik të të huajve, duke harmonizuar ligjin e Bashkimit Evropian dhe duke shtuar kontrollet në kufi. Zoti Sarkozi kërkon gjithashtu një mbrojtje më të fortë evropiane, objektiv ky që shkon paralel me planet për kthimin e Francës në krahun ushtarak të NATO-s.

Presidenti francez shpreson gjithashtu që Evropa të bjerë dakord mbi një marrëveshje të BE-së për ndryshimet klimatike dhe të fillojë një debat mbi të ardhmen e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian.

Gjatë një interviste mbrëmë për televizionin francez, presidenti Sarkozi tha se është me rëndësi që BE-ja të mbrojë qytetarët e vet.

"Një rast i tillë është shkurtimi i taksave të karburantit në Evropë për të ndihmuar makinistët everopainë që të përballojnë çmimet në rritje të karburantit".

Zoti Sarkozi parashikoi se arritja e një marrëveshjeje evropiane mbi ndryshimet klimatike do të jetë objektivi më i vështirë i presidencës franceze.

"Evropa duhet të japë shembullin e saj në mënyrë që të bindë vende të tjera si Shtetet e Bashkuara, Kina, Brazili dhe India, që të pakësojnë çlirimin e gazeve, që shkaktojnë efektin serë".

Zoti Sarkozi bëri të qartë objektiva të veçantë të Bashkimit Evropian, pakësimi me 20 për qind i konsumimit të energjisë nga Evropa dhe çlirimi i gazeve që dëmtojnë mjedisin, ndërkohë që shtohet me 20 për qind përdorimi i energjive alternativë, të gjitha këto deri në vitin 2020, pa sakrifikuar konkurencën e Evropës në sektorin industrial.

Franca merr presidencën e radhës në një kohë kur Bashkimi Evropian përballet me krizë pasi Irlanda hodhi poshtë të ashtuquajturin Traktati i Lisbonës me anë të një referendumi muajin e kaluar. Irlandës i është dhënë 4 muaj afat që të përcaktojë hapin e saj të ardhshëm. Mes 27 vendeve anëtare të BE-së, Irlanda është e vetmja deri tani që hedh poshtë këtë dokument, i cili synon krijimin e një blloku më të fortë dhe më të bashkuar. Skenari më negativ është që traktati i Lisbonës të mos miratohet, ashtu siç ndodhi me kartën më ambicioze, që i parapriu traktatit.

Thomas Klau është drejtor i zyrës së Parisit për Këshillin Evropian mbi Marrëdhëniet me Jashtë.

"Është tepër herët të thuhet nëse zoti Sarkozi do të arrijë të gjejë një zgjidhje deri në fund të vitit. Kjo varet pjesërisht nga përpjekjet e tij si dhe nga zgjuarsia dhe takti i tij diplomatik. Kjo varet natyrisht edhe nga zhvillimet politike".

Por një numër analistësh mendojnë se statusi i traktatit të Bashkimit Evropian mund të mos e dëmtojë medoemos presidencën e Francës. Mes këtyre analistëve është edhe Klara O'Donnell në Qendrën për Reforma Evropiane me seli në Londër.

"Ekziston mundësia që Franca të bëjë shumë. Presidenti Sarkozi ka një plan shumë ambicioz dhe do që të bëjë shumë gjëra. Ai mund të mos arrijë të bëjë çdo gjë, por do të ketë disa arritje. Natyrisht që Traktati i Lisbonës do të ketë rëndësinë e vet, por nuk ka nevojë të mbizotërojë të gjitha debatet".

Presidenti Sarkozi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ofrojë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve evropianë.

Planet e zotit Sarkozi për të krijuar një partneritet të ri mes Evropës dhe Mesdheut, mes vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme janë pritur ftohtë.

Megjithatë, presidenca e Bashkimit Evropian mund t'i japë mundësinë presidentit Sarkozi që të ketë sukses, pas vitit të parë të trazuar si president i Francës. Gjatë kësaj periudhe popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm pasi shumë francezë kanë mbetur të zhgënjyer nga stili ekstravagant i jetesës së tij, ekonomia e rënduar e Francës dhe ndjenja se udhëheqësit francezë bëjnë premtime që nuk mund t'i bëjnë realitet. Një presidencë 6-mujore e sukseshme me në krye presidentin francez mund të përmirësojë imazhin e tij, thotë analisti Thomas Klau.

"Do të ishte e tepëruar të thuhej se presidenca e radhës do të jetë një faktor vendimtar për suksesin e zotit Sarkozy sepse nuk është kështu. Por popullariteti i tij i ulët dhe mendim i përgjithshëm jo pozitiv për të gjatë vitit të parë në detyrë, bëjnë që suksesi i tij në krye të presidencës së Bashkimit Evropian të ketë rëndësi të veçantë".

Megjithatë një anketë e opinionit publik e botuar nga një gazetë franceze muajin që sapo kaloi arrinte në përfundimin se vetëm një e treta e francezëve besojnë se presidenca franceze e Bashkimit Evropian mund t'i japë jetë Traktatit të Lisbonës të Bashkimit Evropian. (ze)

XS
SM
MD
LG