Lidhje

Shënohet 150 vjetori i fotografisë shqiptare


Një grup historianësh dhe artistësh morën pjesë të hënën në një konferencë kushtuar 150 vjetorit të fotografisë shqiptare. Studiuesi Qerim Vrioni paraqiti historinë një shekull e gjysmë të fotos shqiptare, që zë fill nga viti 1858 me fotografitë e Pjetër Marubit.


“Pjetër Marubi mbetet fillnisësi i kësaj veprimtarie shoqërore dhe artistike që quhet fotografia shqiptare. Për këtë ai meriton mirënjohje të veçantë dhe të përhershme, gjë që deri sot ka munguar”- tha zoti Vrioni në hapje të konferencës.

Studimi i Qerim Vrionit është fryt i kërkimeve shumëvjeçare të tij në arkivat dhe studiot e artistëve dhe familjarëve të tyre. Një pjesë të këtyre fotove ai i paraqiti në konferencë për të ilustruar historinë e fotografisë shqiptare.

“Këta janë të gjithë shqiptarë. Edhe ai i pari që nuk ishte shqiptar me origjinë, Pjetër Marubi, edhe ai u shqiptarizua, e përthithi mirë mendësinë shqiptare. Duke jetuar në Shqipëri, duke folur shqip filloi të jetojë me gjithë hallet, ngjarjet dhe problemet e popullit. Këto përshtypje nxitën artin e fotografisë, dhe bënë që ai të realizonte ato fotografi, për të cilat duhet të jemi krenarë dhe të mburremi”- thotë zoti Vrioni.

Studiuesi Vrioni trajtoi me kujdes një numër të madh veprash dhe autorësh që kanë punuar me përkushtim për fotografinë shqiptare, duke fiksuar mijëra persona dhe ngjarje të rëndësishme të vendit.

Leon Çika, një nga piktorët dhe fotografët e njohur në Shqipëri thotë se fotot e këtyre mjeshtrave të traditës kanë vlera të mëdha jo vetëm historike, por edhe artistike.

“Janë fotografi që sa herë i sheh, zbulon diçka të re. Janë fotografi moderne, që flasin edhe sot me gjuhë moderne. Ky është arti. Kjo tregon që ato janë fotografi të vërteta, janë fotografi të arrira, janë fotografi të mira. Për këto vepra që ata mjeshtra lanë, ne duhet të ndjehemi krenarë. Shqipëria ka një histori pothuajse po aq sa të Europës në fotografi”- thotë zoti Çika.

Qysh nga viti 1858, një numër i madh artistësh ia kushtuan punën dhe jetën e tyre fotografisë që nga i pari Pjetër Marubi, Jani Zengo, Kol Idromeno, vëllezërit Manaki, Kel Marubi, Kristaq Sotiri, Vani Burda, Gjon Mili, Dhimitër Mborja e shumë të tjerë.

“Kristaq Sotiri ka mësuar foton në Amerikë, Vani Burda në Rumani, Kristo Shuli në Greqi etj. etj. dhe e kanë ushtruar në Shqipëri. Nga ana tjetër, janë edhe Gjon Mili dhe Dhimitër Mborja që kanë mësuar në Amerikë dhe kanë ushtruar në Amerikë. Dihet se Gjon Mili është nga fotografët që përmendet shumë në fotografinë botërore me origjinë shqiptare”- thotë zoti Vrioni.

Artistët mendojnë se fotografisë shqiptare i duhet kushtuar vëmendje më e madhe, si nga studiuesit ashtu edhe nga institucionet kulturore për të nxjerrë në pah vlerat e saj.

“Më vjen mirë që zoti Vrioni, duke mos qenë një fotograf karriere për vete, merr përsipër studime mbi historinë e fotografisë shqiptare. Kjo nuk është e para. Ai ka bërë edhe dy botime të tjera më parë për fotografinë. Me këto punime, Vrioni sjell mjaft foto të para rrallë, ose edhe të pashfaqura më parë. Sot ndjeva emocione të mëdha për fotot e rralla, edhe kur pashë foto që i njihja, sepse i pashë me një sy tjetër”- thotë Leon Çika.

Konferenca “150 vjetori i fotografisë shqiptare” është midis veprimtarive shumë të pakta që i kushtohen historisë së arteve shqiptare. Studiuesit mendojnë se mbledhja dhe ruajtja me kujdes e fotografive shqiptare brenda dhe jashtë vendit është me rëndësi të madhe, sepse në to shihet qartë historia me ngjarje dhe personazhe të shumta të Shqipërisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG